Ky është momenti kur makina tip “Audi” në të cilën ndodheshin dy viktimat e atentatit të sotëm në Astir, largohet nga vendngjarja. Në pamjet e publikuara nga “Balkanweb”, shihet se si makina luksoze është bërë “shoshë” nga plumbat, që i morën jetën Erigers Mihasit dhe Armando Dumanit.

Atentatorët, besohet se kanë qëlluar me kallashnikovë nga një mjet tjetër në lëvizje, e më pas, janë larguar në drejtim të “Ish sheshit Shqiponja”. Policia ka gjetur një makinë të djegur, tip “Toyota” në zonën e Thumanës, e që dyshohet se është përdorur nga autori/ët.

Ndërkaq, vlen të përmendet se dy viktimat ishin emra të njohur për drejtësinë. Mihasi ka qenë mik i ngushtë me ish-policin e vrarë Santiago Malko dhe dyshohet se ishte përfshirë në një grabitje me armë në banesën e prindërve të Elton Çiços, si dhe ishte përfshirë në sulmin në kompleksin “Eiffel”.

Po ashtu, edhe Dumani ishte një person i skeduar. Ai dyshohet se nën kërcënimin e armës kishte grabitur një bankë të nivelit të dytë. Nuk dihet se kush ka qenë “shënjestra” e atentatorëve, ndërsa policia ndodhet në vendngjarje për të siguruar prova dhe për të zbardhur dinamikën e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb