Kryebashkiaku i ri i Partisë Socialiste në Devoll, Eduard Duro, ka mbërritur në ambientet e bashkisë, për të marrë detyrën. Duro ka shkuar te bashkia, menjëherë sapo ish-kryetari i kësaj bashkie, Bledion Nallbati i Partisë Demokratike, ka përfunduar orarin zyrtar të punës.

Nallbati është larguar nga zyra pasi ka mbaruar punën, ndërsa gazetarja Lorena Kodra raporton për “BalkanWeb” se ai është përcjellë me duartrokitje nga mbështetësit e tij, të cilët qëndruan për gjashtë orë me radhë para bashkisë. Ndërkohë, një punonjëse e bashkisë ka mbyllur derën e jashtme të ndërtesës dhe është larguar bashkë me ish-kryebashkiakun.

Kështu që dera e bashkisë është hapur me forcë nga një komision i zgjedhur nga kryetari i ri i bashkisë. Një punonjës i bashkisë ka thyer bravën e derës, duke e hapur atë, në mënyrë që të futet në zyrën e tij kryebashkiaku i ri. Nga ana e tij, ky i fundit tha se dera do të hapej qetësisht, ashtu siç ishte mbyllur.

“I kam kërkuar ish-kryetarit dorëzimin e zyrës. Komisariatit të Devollit i kam kërkuar të jetë prezent tani pas orës 16:00 në hapjen e derës së bashkisë. Ne do ta hapim qetësisht”, tha Duro.

Sot në Devoll pati përplasje dhe tensione, pasi socialistët vendosën të konstituonin këshillin bashkiak.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb