Publikohen pamjet nga vrasja e efektivit të policisë, Çaush Saliasi mbrëmë në ambientet e komisariatit nr. 3 në Tiranë. Në videon e siguruar nga Euronews Albania shihet e gjithë skena e rëndë, ku Ludian Zaimi qëllon disa herë me armë kolegun e tij, në sy të disa policëve të tjerë.

Nga kamerat e sigurisë shihet autori dhe viktima që qëndrojnë brenda në komisariat bashkë me kolegët e tyre, ndërsa bisedojnë. Ndërkohë, pas disa sekondash Zaimi nis të afrohet drejt derës ngadalë teksa ndalet në tryezën e koleges së tij që qëndron e ulur në sallë.


Në atë kohë viktima del jashtë dhe ulet në shkallët e godinës duke biseduar me një tjetër koleg. Pak sekonda më pas, në kamera shihet se dy kolegëve iu bashkohet autori, i cili papritur nxjerr armën e shërbimit dhe nis të qëllojë në drejtim të Saliasit.

Ky i fundit zvarritet brenda godinës duke tentuar të mbyllë derën me këmbë për t’i shpëtuar plumbave, por autori e shtyn derën disa herë dhe qëllon sërish.
Kolegu që ndodhet jashtë godinës vë duart në kokë, ndërsa të tjerët largohen nga dera nga frika për shkak se të shtënat nuk ndalojnë. Pasi kryen vrasjen autori largohet me vrap në drejtim të rrugës kryesore. Zaimi qëlloi me 6 plumba ndaj Saliasit dhe u ndalua nga kolegët teksa përpiqej të largohej nga komisariati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb