Një valë moti të keq ka përfshirë qarkun e Elbasanit gjatë orëve të fundit, duke sjellë reshje shiu dhe breshëri të shoqëruara me erë të fortë dhe ulje të temperaturave. Reshjet kanë prekur qytetin e Elbasanit dhe disa bashki të tjera të qarkut, ndërsa në disa akse rrugore drejtuesit e mjeteve po këshillohen të tregojnë kujdes për shkak të lagështirës në asfalt dhe uljes së shikueshmërisë.
Deri në këto momente nuk raportohen probleme serioze apo situata emergjente si pasojë e motit, ndërsa strukturat vendore mbeten në gatishmëri për të monitoruar zhvillimin e situatës.
Sipas parashikimeve meteorologjike, moti i paqëndrueshëm pritet të vijojë edhe në orët në vijim, me reshje shiu herë pas here dhe intervale me erë të fortë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë momenteve me intensitet më të lartë të reshjeve dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në rrugë.
