BERAT

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Beratit. Një familje nga lagjja “Barrikadë” është paraqitur në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, ku ka denoncuar ngacmimin seksual që i është bërë vajzës së tyre, vetëm 5-vjeçe.

Menjëherë pas këtij denoncimi, blutë e Beratit kanë ndjekur rastin, duke vizituar fillimisht vajzën 5-vjeçe në Spitalin Rajonal të qytetit.

Nga vizita mjekësore që është kryer nga mjekët specialistë ka rezultuar se 5-vjeçarja kishte shenja të ngacmimit seksual, që sipas mjekëve nuk ishin finalizuar. Mësohet se e mitura është ngacmuar seksualisht nga komshiu i saj 48-vjeçar që rezulton të jetë i njohur nga banorët e lagjes si pijanec.

Mësohet gjithashtu se ky person rrinte shpesh dhe luante me fëmijët e lagjes në sheshpushimet përpara pallateve por deri tani askush nga banorët e lagjes “Barrikadë” nuk ishte ankuar për sjelljet e tij ndaj fëmijëve.

Ende nuk dihen rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe dinamika e saj, pasi nga ana e policisë nuk konfirmohet se ku dhe si ka ndodhur ngacmimi seksual. News 24 dhe Balkanweb kanë siguruar momentet e mbërritjes së familjes së vajzës në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat mbrëmjen e djeshme, së bashku me vajzën 5-vjeçe, për të bërë denoncimin ndaj komshiut të tyre.

Pasi e mitura është marrë në pyetje, në prani edhe të psikologëve, policia e Beratit ka arrestuar 48-vjeçarin dhe po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.

“Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Berat, ndaluan shtetasin S.K., 48 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ky shtetas ka konsumuar elementë të veprës penale ‘Ngacmimi seksual me të mitur’, me një fëmijë 5 – vjeçar. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat për veprime të mëtejshme”, deklaron Policia e Beratit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb