Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është përfshirë dje në një debat me një prej aktivisteve të shoqërisë civile, e cila ishte e pranishme në takimin në prag të protestës së 7 korrikut.

Enida Kaziu, u prezantua si juriste nga qyteti i Durrësit, kur mori mikrofonin dhe pasi shkëmbeu disa batuta ironie me Altin Goxhajn, iu drejtua Berishës.

“Ndjesë i nderuar Berisha por jam e bindur që jeni bashkëpërgjegjës për gjendjen ku ndodhet tashmë Shqipëria, jo vetëm ju por edhe partitë e opozitës. Sepse jam e sigurt që duke nisur nga pozita financiare e juaja, familjes suaj, kolegëve, meqë siç tha Kreshnik Spahiu Shqipëria është më e rëndësishmja, të paktën të ngriheshin struktura të menjëhershme për të strehuar njerëzit që po hanë ushqim nga kazanët e plehrave, për ata që janë me të meta fizike…”, tha juristja teksa Goxhaj tentoi disa herë ta ndërpriste dhe t’I fikte mikrofonin duke i thënë se i kishte kaluar koha që kishte në dispozicion.

Nga ana e tij, Berisha nuk iu përgjigj menjëherë juristes, por priti fundin e aktivitetit.

Ai tha se ka një llogari bankare me 100 mijë euro dhe një apartament vetëm 30 m2 më shumë se ç’kishte në komunizëm.

Berisha e përforcoi argumentin e tij me faktin se pasuria e familjes i ishte kontrolluar si nga Edi Rama, ashtu edhe nga SHBA-të dhe nuk i ishte gjetur asnjë e ardhur më shumë.

Debati

Enida Kaziu: Ndjesë i nderuar Berisha por jam e bindur që jeni bashkëpërgjegjës për gjendjen ku ndodhet tashmë Shqipëria, jo vetëm ju por edhe partitë e opozitës. Sepse jam e sigurt që duke nisur nga pozita financiare e juaja, familjes suaj, kolegëve, meqë siç tha Kreshnik Spahiu Shqipëria është më e rëndësishmja, të paktën të ngriheshin struktura të menjëhershme për të strehuar njerëzit që po hanë ushqim nga kazanët e plehrave, për ata që janë me të meta fizike, ata që po shesin veten dhe…

Altin Goxhaj: Kanë kaluar dy minuta.

Enida Kaziu: Altin mos më pengo, nuk jam këtu për të fyer njeri. Si shoqëri civile jam pro bashkimit kombëtar. Le të ceket edhe tema e bashkimit kombëtar, por do të ishte mirë edhe një autokritikë nga opozita, unë kështu e shoh. Edhe pse jam në moshën e bijës suaj. Nuk jam këtu për të sulmuar askënd, por për të thënë që është shumë emergjente që të gjithë ata të cilët e konsiderojnë veten atdhetarë, të bëhen më solidarë dhe të japin një pjesë nga pasuria e tyre për këta persona. Do vij edhe tek data 7, por është emergjente sepse protesta mund të funksionojë ose jo protesta. Mos më ndërprit, jam pa parti unë vëlla, këtu kam ardhur si qytetare e thjeshtë.

Berisha: Ke shtruar një problem shumë të rëndësishëm. Pasuritë e politikanëve janë absolutisht për tu kaluar në shoshë dhe luftoj ditë e natë për këtë punë. Meqë shkove në personale, tani po përgjighem në personale. Sali Berisha ka të deklaruara një apartament 30 m2 më të madh se çka patur në diktaturë dhe 100 mijë euro në llogari. Cilido që gjen një qindarkë më shumë, është përgjegjës ai se është e paligjshme. Kam pasur fatin e madh që gjatë këtyre 9 viteve Edi Rama të kontrollojë dhe të rikontrollojë 100 herë fëmijët e mi dhe këtë ia di për nder. Ata dhe unë u kontrolluam nga superfuqia më e madhe e kohës dhe të garantoj që as Edi Rama, as superfuqia më e madhe e kohës sot e 30 vjet të kontrollojë nuk do të gjejë një qindarkë e cila është vendosur në kundërshtim me ligjin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb