Kryeministri Edi Rama po mban fjalën e paralajmëruar në lidhje me projektin e Zvërnecit që ka ndezur protestat ditët e fundit.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Rama u shpreh se në kushte të tjera edhe ai do të sillej më keq se protestuesit, por se e vërteta është se nuk po falet tokë shtetërore.

Ai akuzoi punonjësit e kompanisë private të sigurisë se u sollën në mënyrë kafshërore me qytetarët, ndërsa kritikoi edhe policinë e Vlorës se relativizoi dhunën dhe nuk arrestoi autorët e dhunës menjëherë.

“Sikundër jeni në dijeni, dua të flas sot edhe për publikun lidhur me situatën e krijuar për investimin e zonës së Zvërnecit. Dua ta nis me një mesazh të drejtëpërdrejtë për të gjithë ata që janë revoltuar dhe janë rreshtuar edhe kundër meje personalisht pasi panë aktin e neveritshëm të tërheqjes zvarrë të një prej protestuesve. Ju kam, dëgjuar, ju kam lexuar dhe ju kuptoj shumë mirë, madje ju siguroj që në vendin tuaj edhe unë njësoj do të revoltohesha dhe do të rreshtohesha kundër qeverisë dhe kryeministrit sidomos. Sepse do të më dukej e tmerrshme që disa roje sigurie private në sytë e policisë pas një gardhi me tela me gjemba të ulërinin si kafshë e të terhiqnin zvarrë një protestues në plazhin e rrethuar, e policia të thoshte u fut vetë në pronën private e të relativizonte dhunën, kur duhet të arrestohej direkt kushdo që bëri aktin e dhunës.

Do bëja më keq se ju po të më thonin se ajo është pronë e shtetit. Është përhapur kudo legjenda se shteti po i fal tokë Izraelit për të sjellë palestinezët në Zvërnec, apo se aty janë disa rusë që do të ndërtojnë pallate”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb