TIRANE – Një aksident me pasojë vdekjen e një të moshuari është regjistruar rreth një muaj më parë në autostradën Rrogozhinë-Kavajë. Sipas policisë, kalimtari 68 vjeç u përplas teksa tentoi të kalonte në anën tjetër të rrugës.

“Jeta osh qef” ka publikuar pamjet e aksidentit tragjik, ku duket qartë këmbësori që vrapon për të dalë në anën tjetër të rrugës duke mos parë pas dhe aq më tepër në autostradë. Goditja ishte e fortë dhe fatale për jetën e tij.

I afërmi i viktimës, që mundësoi video, shprehet se drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin ka qenë duke udhëtuar me shpejtësinë 240 km/h.

Sipas tij, fajtor është drejtuesi i mjetit që po ecte me një shpejtësi shumë të madhe, duke e pasur të pamundur ndalimin e makinës për të shmangur aksidentin fatal.

“Përshëndetje, shikojeni videon tamam të aksidentit të ndodhur më datë 19 shtator në Kavajë, ai shofer ishte me 240 km/h, deklaruar edhe nga policia. Unë jam i afërm i viktimës, jam shofer e kam nja 16 vite në kamion, e kam bredhur gjithë Evropën. E kam parë me sytë e mi vendin e ngjarjes, kam nxjerrë edhe gabimet duke parë çdo gjë. Konkluzioni im është që i ndjeri M.K. i shpëtoi jetën dy të rinjve 19-vjeçarë sepse ata do përfundonin mbas 60-7 metrash në kthesën e Kavajës. Ato ishin me 240 në orë e kur e shohin të ndjerin duke kaluar kërkojnë me frenu e makina shkon zhag. Ai ka frenu, e ka shtyp freksionin, makina nga shpejtësia e madhe për inerci merr më shumë shpejtësi e i ka devijuar majtas ngaqë i ka frenu përpara dy gomat e krahut të majtë e pastaj krahu tjetër e makina shkon gjithnjë e më shumë afër hekurave. Ndërkohë i ndjeri që nuk kishte arritur ta dallojë, pak të shikosh videon ai shikon, kalon një makinë e shoqëron, kalon e dyta e duke mos parë tjetrën që është shumë larg kalon. Sipas rregullores, me shpejtësinë që ka qenë makina e mbërrin vetëm për shtatë sekonda . Del që makina kur këmbësori futet të kaloj ishte pak a shumë 900 metër ose 1 km larg. Ai që iku nuk kthehet më. Po shteti çfarë bën, përse nuk vepron? Sa njerëz kanë humbur jetën në atë rrugë??? Edhe diçka do shtoj. Mbikalimet që janë bërë nuk arrij t’i kaloj unë që jam i ri, jo më njerëzit e moshuar apo ato që kanë shtëpinë në anën e sipërme të rrugës e tokat në anën tjetër. Ju falendëroj.”- shprehet familjari.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: