Zhvillime të reja kanë dalë nga operacioni i koduar “The last fire”, i zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë në Korçë, ku është vënë në pranga një 38-vjeçar i shpallur në kërkim, i dyshuar si porositës i një zjarrvënieje të ndodhur dy muaj më parë në Pogradec.
Sipas policisë, bëhet fjalë për shtetasin E. F., banues në Korçë, i cili u arrestua në bazë të një urdhri të Prokurorisë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim. Ai dyshohet se ka qenë organizatori i djegies së një automjeti më 26 shkurt 2026 në qytetin e Pogradecit.
Kapja e tij u bë pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, e cila kishte mbetur pa autor për disa javë.
Gjatë kontrollit në ambientin ku u lokalizua dhe u arrestua 38-vjeçari, policia gjeti edhe një sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua si provë materiale.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e zjarrvënies dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.
