Ish-sulmuesi i Tiranës, Redon Xhixha ka debutuar me fitore në kampionatin azer me Karabak. 25-vjeçari u hodh në fushë në minutën e 65-të, në duelin ndaj Shamakhit, ku skuadra e tij triumfoi me rezultatin 3-1.

Në momentin e aktivizimit të Xhixhës, rezultati ishte 3-0 për Karabak, ndërkohë që miqtë realizuan golin e nderit me anë të Hazijev.

Sulmuesi shqiptar që mbante numrin 99 mbi shpinë zuri vendin e Leandro Andrade, i cili shënoi dhe golin e tretë për bardhezinjtë.

Ky ishte triumfi i 18-të në 20 ndeshje për ekipin e Karabak, që duket me një dorë tek titulli kampion. Diferenca nga ndjekësit e Sabah Baku është plot 10 pikë. Në ndeshjet në vijim Xhixha kërkon ta nisë si titullar dhe pse jo të shndërrohet në një protagonist.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb