Manchester City triumfon 3-1 në derbin ndaj Manchester United, në supersfidën e kësaj jave në Premier League. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 8-të, nga një kryevepër e Rashford. Sulmuesi anglez mposhti Ederson, me këtë të fundit që pavarësisht përpjekjeve, nuk i ndërroi dot udhë sferës.

Kampionët e Anglisë rritën presionin dhe u vendosën në sulm në kërkim të golit të barazimit. Të besuarit e Guardiolës patën rastin e artë në minutën e 19-të, por Foden u ndal nga Onana. Në minutën e 45-të, Haaland nga fare pranë nuk dërgoi dot topin në rrjetë, me tifozët që nuk po i besonin syve se çfarë po shikonin.

Edhe në fraksionin e dytë u luajt e njëjta melodi, presion konstant i Cityt ndaj skuadrës së Ten Hag që u vendos para porte, për të mbrojtur rezultatin. Në minutën e 56-të, një gol për panoramë i Foden “shtang” skuadrën e “Djajve të Kuq”. Foden, 10 minuta para fundit të takimit përmbys sifdën, duke i dhuruar 3 pikë jetike skuadrës. Në fund pati kohë edhe për një gol të Haaland.  Manchester City renditet në vendin e dytë me 62 pikë, 1 pikë më pak se Liverpool kryesues. United renditet në vendin e gjashtë me 44 pikë.

(VIDEO)

(J.S/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: