Një vatër e re zjarri është aktivizuar pranë lagjes Bojë në Krujë, duke përfshirë një sipërfaqe me bimësi dhe shkurre. Dyshohet se zjarri mund të jetë i qëllimshëm, ndërsa për momentin nuk ka një konfirmim zyrtar për shkaqet e rënies së flakëve.
Në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse, efektivë të ushtrisë dhe një helikopter për ndërhyrjen nga ajri. Ekipet në terren po punojnë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre.
Aktualisht nuk raportohet rrezik i drejtpërdrejtë për banesat në zonë. Megjithatë, era favorizon përhapjen e flakëve, të cilat po avancojnë me shpejtësi, duke e bërë situatën dinamike. Forcat në terren vijojnë operacionin për izolimin dhe shuarjen e vatrës së zjarrit.
