Spektakël për një pikë. Partizani dhe Laçi nuk i bëjnë keq njëri tjetrit, barazimi 1-1 kënaq të dy ekipet, të gjithë largohen të buzëqeshur, madje festojnë edhe rivalët, përfshi këtu edhe Vllazninë. Të kuqtë dhe jo vetëm i ushtrojnë preson nga shumë pranë shkodranëve, diferenca me kreun tashmë zvogëlohet në vetëm tre pikë.

Në “Elbasan Arena”, përballeshin dy ekipet e momentit, dy ekipe që zhvillojnë një futboll të bukur dhe këtë e vërtetuan që në minutat e para. Hakaj ishte i pari që ngacmojë bardhezinjtë me një goditje brenda zonës që shkoi ngjitur me shtyllën pingule. Laçi iu përgjigj shpejt, në minutën e 19-të, Xhixha vë duart në kokë, teksa i vetëm në zonë, shumë pranë portierit Hoxha dërgon topin mbi traversë. Kurbinasin ishin më kërcënues, pak minuta më pas, ishte radha e Harmon të sjell pështjellim në zonën e Partizanit, zhbllokohet mirë por e majta e tij nuk ishte në kuadrat, për fatin e mirë të Alban Hoxhës. Me kalimin e minutave, të kuqtë morën kontrollin e lojës, në minutën e 30-të Baradhi depërtoi bukur me topin në këmbë, shërbeu për Çinarin i cili goditi menjëherë por topi shkoi ngjitur me shtyllën pingule.

Atëherë kur ekipet po i drejtoheshin dhomave të zhveshjes, në minutën e 46-të, Çinari mori një tjetër top në zonë, këtë herë goditi saktë duke kaluar Partizanin në avantazh. Në fraksionin e dytë, Shpëtim Duro s’postoi ekipin më pranë gjysmë fushës kundërshtare, në minutën e 58-të Kristi Kote ndali Harmon i cili po i drejtohej portës, faull taktik i ndëshkuar me karton të verdhë.

Dukshëm kurbinasit kishin një marsh më shumë, në të 64-tën, Turkaj hedh një kros të bukur në zonë aty ku Harmon me kokë ndëshkoi Alban Hoxhën duke rikthyer baraspeshën në “Elbasan Arena”. Vendosja e ekuilibrave bëri që dy ekipet të ulnin në mënyrë të natyrshme ritmin e lojës, s’postuan ndeshjen në gjysmëfushë, duke ngacmuar pak ose aspak portat respektive. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund me Partizanin dhe Laçin që ndajnë nga një pikë pas barazimit 1-1.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb