Më shumë se 100 pasagjerë u shpëtuan herët të mërkurën pasi trageti “KM Putri Yasmin” u përfshi nga flakët pranë ishullit indonezian të Balit, njoftuan shërbimet lokale të kërkim-shpëtimit.

Trageti ishte nisur nga Pantai Mutiara dhe po lundronte drejt portit të Lembar, në ishullin Lombok, kur në bord shpërtheu një zjarr, për shkaqe që ende nuk janë bërë të ditura.

 


Pasagjerët u evakuuan dhe u transferuan në një anije të Marinës indoneziane, si dhe në një traget tjetër që ndodhej pranë vendit të incidentit. Sipas autoriteteve, në bordin e tragetit ndodheshin zyrtarisht **114 persona**, megjithëse numri ende nuk është konfirmuar përfundimisht.

Deri tani nuk raportohet për viktima. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë të qëndrojnë në zonë, ndërsa një helikopter po kryen fluturime për zbulim dhe koordinimin e operacionit.

Incidenti vjen pas disa aksidenteve të rënda detare të regjistruara së fundmi në Indonezi. Më 2 gusht, pesë persona humbën jetën pasi një traget me rreth 250 pasagjerë dhe pjesëtarë ekuipazhi u përfshi nga zjarri pranë ishullit të Madurës. Në mesin e korrikut, më shumë se 70 persona humbën jetën pas mbytjes së një anijeje pranë ishullit Selayar, në jug të Sulawesit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: