Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka inspektuar ambientet e reja në ‘’Air Albania’’ që do të shërbejë si Qendra e Parë e vaksinimit ndaj COVID-19 në vend.

Qendra është në instalim e sipër teksa Shqipëria i ka siguruar 500 mijë dozat e para nga Pfizer dhe pret vetëm ardhjen e dërgesës për të filluar me vaksinimin.

Sipas Ramës, synohet që vaksinimi të fillohet para javës së tretë të janarit në Shqipëri, i cili është dhe afati i kontratës me kompaninë Pfizer.

“Në të gjitha rastet ne fillojmë në javën e tretë të janarit. Por le të shpresojmë që do të fillojmë më shpejt. Jemi në komunikime nga të katër anët. Dhe kemi besim se do të mund të fillojmë dhe më shpejt falë disa kanaleve preferenciale që kemi hapur. Jemi në një fazë realisht shumë pozitive përsa i përket perspektivës të kësaj nisme. Kemi siguruar 500 mijë vaksina dhe njëhkohësisht kemi garantuar një trend vaksinimi, që i përgjigjiet strategjisë dhe që janë të kalendarizuara. Nga fillimi deri sot ne nuk jemi asnjëherë një hap pas asaj që vjen, por jemi gjithmonë një hap përpara”, tha Kryeministri Edi Rama.

Nga ana tjetër ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se qendra të tjera do të hapen paralelisht edhe në zona të tjera të Tiranës, ndërsa radhën më pas e kanë Vlora e Shkodra.

“Janë marrë masat për të gjithë elementët e sigurisë. Do të kemi skuadrat e vaksinatorëve, të mjekëve si dhe të koordinatorëve që do të lehtësojnë këtë proces. Do të kemi ekipet e urgjencës për çdo eventualitet të cilët do të vendosen në postacione të përcaktuara, qoftë jashtë “Arenës”, qoftë në ambientet e vetë stadiumit. Aktualisht janë vendosur dhe po vijojnë të vendosen postacionet. Janë rreth 20 postacione deri tani. Por në fakt në terësinë e unazës të gjithë “Arenës” do të jenë 60 postacione për vaksinimin. Planifikojmë që çdo një orë të vaksinohen 60, ndoshta diçka më shumë qytetarë. Dhe do të vijojmë kështu 8-10 orë në ditë. Sigurisht që vaksinat e para që do të vijnë i dedikohen sipas planit tonë të vaksinimit grupeve të riskut”, deklaroi Manasirliu.

STATUSI NGA EDI RAMA

#SHQIPËRIABUZËQESH – Në instalim e sipër Qendra e Parë e Vaksinimit anti-Covid19 në Air Albania Stadium
Së shpejti nisim vaksinimin e bluzave të bardha, që synojmë ta fillojmë më parë se sa afati kontraktual me Pfizer për javën e tretë të janarit, përmes punës intensive diplomatike në shumë drejtimee


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb