Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sapo ka ushtruar të drejtën e saj për të votuar, ndërsa ajo që ka bërë përshtypje ka qenë që kreut të shtetit të Kosovës i është dashur të presë pak minuta në radhë.
Kryetarja e shtetit ka mbajtur disa minuta radhën për të votuar.

Në mesazhin për mediat ajo u shpreh se këto zgjedhje janë të rëndësishme për shtetin e Kosovës, ndërsa ftoi qytetarët t’i drejtohen kutive të votimit.
“I uroj suksese të gjithë atyre që kandiduan në këto zgjedhje. Shpresoj që e mbara t’i prijë Kosovës, vendit tonë të dashur. Një nga mënyrat më të mira për të kontribuar për Kosovën tonë është pikërisht duke e shfrytëzuar të drejtën e votës”, u shpreh Vjosa Osmani.
Zgjedhjet Parlamentare në Kosovë
Mbi 2 milionë qytetarë, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë të drejtë vote në këtë proces që pritet të zgjedhë përbërjen e re parlamentare, e cila më pas zgjedh ekzekutivin e ri të Kosovës. Më 8 shkurt, për herë të parë qytetarët e Kosovës në diasporë kanë mundur të votojnë në përfaqësi diplomatike në 19 shtete të ndryshme të botës. Po ashtu, ditën e shtunë është përmbyllur edhe procesi i votimit me postë.
Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër:
Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë.
(BalkanWeb)