TIRANE

Pas deklaratave të forta të Taynës për bllokimin e këngës nga ish-menaxheri i saj, Rinor Hykolli, ky i fundit ka reaguar në rrjetet e tij sociale. Hykolli deklaron se nuk ka qenë ai që e ka bllokuar këngën, por kontratat që janë firmosur gjatë rrugëtimit të Taynës.

Në një postim të gjatë, ai e quan vazhdimisht Taynën “artiste” dhe “divë” duke bërë një përmbledhje të rrugëtimit të tyre dhe vizionin që ka pasur për të. Rinori thotë se ai ka luftuar në të gjitha mënyrat që Tayna të ishte e paprekshme dhe sigurisht, të kishin të dy një jetë më të mirë. Duke i uruar suksese secilit prej tyre në rrugë të ndara, ai shton se shpreson që ajo mos të shkatërrojë çfarë kanë ndërtuar me mund përgjatë viteve.

  • foto galeri

E dashur artiste, sepse e tillë je ti artiste! Kështu më je dukur që ditën e parë që të kam dëgjuar dhe të kam besuar se mund të shkoje shumë lart nëse do të kishe suportin e duhur. Rastësia deshi që të të shihja një ditë ndërsa ecje rrugëve të qytetit, në kushte që s’i takojnë një dive të ardhshme apo në kushte që sot s’janë më as në imagjinatën tënde… Dhe ky ishte vizioni im për ty, kjo ishte ajo që unë besoja për ty dhe kjo ishte ajo që unë u investova me mish e me shpirt, por dhe me të gjithë kapitalin tim të mundshëm. Duke të të shndërruar ty në divën dhe në sensacionin e radhës në një industri ku s’të hapet asnjë derë, asnjë telefon dhe asgjë s’të jepet pa para dhe ti këtë e di shumë më mirë se unë… se ndryshe mbase do të kishe shkëlqyer shumë më herët me artin tënd. Por unë besova dhe sakrifikova që ti mos të zvarriteshe kurrë si kërmilli në këtë industri e të mos i luteshe kurrë askujt, të mos bëje kompromise për asgjë, të ishe e paprekshme, të ishe e madhe në sytë e të gjithëve! Dhe i bëra unë për ty të gjitha! “Të voglin”, “të fortin”, “zvarritësin”, “të pamëshirshmin” e shumë role të tjera… që hallet e tua të ishin të miat, që “armiqtë” e tu të ishin të mitë, që arti yt të mos cenohej nga asnjë shqetësim, që performancat e tua të ishin në lartësinë e një dive, që rrugëtimi yt të mos përlyhej nga asnjë skandal, që familja jote dhe ti të flinit të qetë e unë kurrë mos të vija gjumë në sy… Po, sigurisht, po edhe që unë e ti të kishim një shtëpi e jetë më të mirë! Ti falë talentit tënd dhe unë falë investimit që bëra me shumë mund! Prandaj e dashur artiste, këngën tënde s’e kam bllokuar unë, Rinor Hykolli, por e kanë bllokuar firmat dhe kontratat që ti ke bërë për të mbërritur këtu ku je sot, aq lart dhe aq e fortë sa mundesh të hedhësh baltë mbi punën që kam bërë, duke lënë pas dore veten dhe familjen time. Megjithatë jam krenar se vërtet shoh që s’jam gabuar dhe ia kam dalë ta bëj realitet vizioni tim. Prandaj çështja s’është më e jona, por e letrave tona të shkruara e zeza mbi të bardhë e unë s’kam ç’bëj më shumë mbi ato që vetë kemi dakordësuar për t’i firmosur në ditë të mira apo nevoje… Unë veç uroj ta mirëmbash atë çka me shumë mund arritëm të dy dhe shpresoj të të shoh lart e më lart. Secili në rrugë të vet, me ndihmën e Zotit paçim akoma suksese më të mëdha!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: