Ai është “Mjeshtër i Madh” “Qytetar Nderi” e “Ambasador Paqeje”. Me një jetë në skenë, pjesë e një familjeje të nderuar të artit e ku mbiemri flet për gjurmët që Zela-jt kanë lënë e do të lëjnë për shumë gjatë në artin shqiptar.

I veshur sport e me kapele në kokë, ashtu siç del çdo ditë nga Kodrat e Liqenit për të ecur e marrë oksigjen Hysni Zela sot ndalojë për të ndarë një bisedë për “Vila24”.

Intervistë që duhet ta ndalojmë disa herë pasi janë të shumtë njerëzit që ndalojnë dhe e përshëndesin. Kjo e mbush plot artistin që i shkelqejne sytë pas çdo përqafimi e respekti që ndjen nga ata që e njohin dhe e vlerësojnë ende me mall.

“Është e vështirë të flas për veten, nuk di cila histori e imja do ishte më e bukur, jetë e gjatë në skenë e shumë kujtime. Shumë punë mbi të gjitha.” – nis të tregojë Z. Zela.

Ai e nis bisedën nga fëmijëria, nga ato komisionet e para ku ç’është e vërteta në ato vite nuk ishte e lehtë të dilje pa t’u dridhur këmbët.

Por zëri i tij veshtirë se mund të kalonte pa u vënë re.

Kështu mes sfidave dhe hapave të parë nisi një rrugë e gjatë me artin si shoqërues i perjetshëm.

“Kam patur fatin të kem mësues të mire, Marie Kraja ka që një ndër të rrallat. Pastaj unë kisha Vaçen në shtëpi që më keshillonte e mësonte vazhdimisht”.

Teksa rrëfen momente nga jeta artisti ndalon e tregon nga celulari i tij video e këngë nga periudha të ndryshme. Nga skenat jashtë vendit, kujtime që e çojnë nga një emocion ne tjetrin e që ja mbushin sytë me lot.

“Shih sa i bukur kam qenë – tregon Hysniu me humor – mamaja kishte merak se isha dhe shume i ri e i thoshte Vaçes: – Ma kij kujdes djalin se po na bën ndonjë të pabërë e po na kthejnë në Lushnje.

Pothuajse çdo rrëfim e çon te Vaçe Zela.

“Ishte artiste e madhe, nuk vjen më Vaçe Zelë jo”- pranon ai me sytë që i lexohet mall për të motren.

Mes kujtimeve për skenën artisti ndalon e flet për jetën e tij sot. Duket që nuk e ka të lehtë të tregojë për muajt e fundit. Pak më shumë se një vit më parë bashkëshortja e tij është ndarë nga jeta…

“E ç’te them o xhan, ishte njeri i mirë shume… tani jetoj vetem ja ashtu ç’te bej. Nuk jam mësuar të gatuaj e të bej punë shtëpie. Unë në vend të hedh kripë, hedh limontos” vijon bisedën ai duke e kaluar me humor që të shmang dhimbjen që preferon ta mbajë për vete.

Hysni Zela është shumë aktiv, zëri i buçet ende si 50 vite më parë por ka kaluar shumë kohë që nga dalja e tij e fundit në skenë.

“Po nuk na ftojnë, me thuaj ti si të marr pjesë. Nuk na thërrasin kur behen festivale, ne na kanë frikë më duket”…

Me modestinë, humorin e shpirtin prej artisti Hysni Zela mbyll bisedën me dëshiren për të ndjerë duartrokitjet e publikut përsëri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb