Pedagogu Ermal Hasimja foli në një lidhje për News24 për masat e marra për nisjen e vitit të ri shkollor në kohë pandemie.

Pedagogu vlerësoi dhe i quajti të realizueshme masat, përveç njërës, distancës 1.5 metra mes nxënësve. Hasimja tha se kjo është një masë e parealizueshme dhe që do të sjellë një dëm më të madh se vetë rreziku i virusit.

Sipas tij, kjo është një masë e caktuar nga mjekët, që nuk e dinë çfarë impakti do të ketë te nxënësit, ndaj dhe duhet të rishikohet.

“MAS nuk ka dicka në dorë, vendimi është marrë nga Ministria e Shëndetësisë për distancën në shkolla. Madje me sa di unë nga Ministria e Arsimit nuk kanë qenë shumë dakord. Distancan 1.5 është e parealizueshme. Të gjithë e dinë cfarë impakti do të ketë kjo distancë.

Nga studimet e bëra rezulton se mësuesi nuk preket shumë nga virusi, sa preket një arkitekt apo një profesion tjetër. Mësuesit nuk janë shumë të rrezikuar. Ndaj dhe ky 1.5 metërshi do të hapë shumë probleme. Viti shkollor do të degjenerojë në një lloj dëmi, që mësimi do jetë thjesht formalitet. Ky lloj dëmi do të jetë shumë më i madh se rreziku i virusit.

Unë jam dakord thuajse me të gjitha masat, përvec njërës, kjo e distancës, që ndryshon gjithcka. Kam përshtypjen se mjekët që e kanë vendosur këtë nuk e kanë vrarë mendjen se cfarë impakti shkakton kjo në shkolla. Jemi akoma në kohë për ta riparuar, sepse shkolla nuk ka filluar akoma. Për klasat nga parashkollë te e para nuk ka kuptim fare kjo masë, madje deri në klasë të pestë nuk ka asnjë lloj kuptimi të mbahet distancë. Ndërsa për klasat e tjera distanca duhet të jetë 1 metër, sic e kanë dhe vendet e tjera, ne e kemi tejkaluar.

Me sa di unë Ministria e Arsimit ka kërkuar që të hiqet ky 1.5 m, sepse masat e tjera janë të realizueshme dhe të dobishme, madje po diskutohet edhe për disa masa të tjera. Në fakt, ne do duhet të mësohemi me virusin, aq më tepër nëpër shkolla, ku rreziku i infektimit është më i vogël. Mendoj se 95% e shkollave mësimi do të jetë vetëm formalisht, vetëm një pjesë e vogël shkollash privat do mund t’i zbatojnë këto masa”, tha Hasimja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb