Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka paralajmëruar një “vjeshtë të nxehtë” duke deklaruar se opozita do të jetë në çdo shesh për të bërë të mundur marrjen e pushteteve nga kryeministri Rama.

Ish-Presidenti ka bërë me dije se këto pushtete “të vjedhura” sipas tij, do t’i kthehen popullit. Ai ka paralajmëruar protestë javën e ardhshme më 13 shtator te inceneratori i Tiranës.

I ftuar në emisionin “Log.” në Abc, Meta paralajmëroi se ditën e sotme do të ketë prova të reja lidhur me djegien e mbetjeve në Shijak.

Ai tha se e rëndësishme për Partinë e Lirisë është të mbrojë interesat e qytetarëve shqiptarë.

“Nesër do të keni fakte të reja nga afera e Shijakut, që nuk është zjarr i vogël. Ajo që ka ndodhur me inceneratorin nuk mbulohet. Kjo e Shijakut nuk ndodh vetëm në Shijak, por ndodh edhe në shumë bashki të tjera ku plehrat depozitohen në vende që nuk janë për këtë punë. E dinë qytetarët. Ata për çështjen e marrëveshjes le të shkojnë dhe ta sqarojnë në Prokurori. Ne do të jemi pranë komunitetit të Shijakut për t’i mbrojtur.
Për ne është e rëndësishme të mbrohen qytetarët, të mbrohen taksat e tyre. Ne do të jemi kudo ku është ky problem.
Nëse do t’i sjellin në Tiranë kushton karburanti, lëri aty, digji aty. Duhet revolucion në kuptimin e vërtetë të fjalës”, tha Meta.

Ai deklaroi më tej se asnjëherë nuk ka qenë më rëndë Shqipëria se sa sot në kuptimin e institucioneve që nuk funksionojnë.

“Kur falsifikohen procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kur ndodh ajo që ndodh, kur shkojnë e betohen te noterët privatë dhe Presidenti i bëhet presion të pranojë një situatë të tillë, përderisa erdhëm në atë situatë…nuk jam bërë populist, por janë delegjitimuar aq shumë institucionet, kanë rënë aq shumë në thundrën e një njeriu të vetëm sa që rruga e vetme është ajo e aktivizimit qytetar dhe e rikthimit të fuqisë te populli”, theksoi Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb