Në Kosovë vijojnë diskutimet politike për zgjedhjen e presidentit, pa arritje të një marrëveshjeje mes partive kryesore parlamentare.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar emrin e Vjosa Osmani për postin e presidentit, me kusht që të sigurohen 66 vota në Kuvend. Deri tani, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare për këtë propozim.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në votim nëse thirret seancë për zgjedhjen e presidentit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është shprehur se po pret zhvillimet politike për të përcaktuar qëndrimin e saj.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u ka lënë afat deri të dielën drejtuesve të PDK-së dhe LDK-së për të propozuar emra për postin e presidentit.
Ndërkohë, nga LDK është deklaruar se ende nuk ka një përgjigje për kërkesën për sigurimin e 66 votave, duke mbetur e paqartë nëse do të arrihet një konsensus për zgjedhjen e kreut të shtetit.
