Bashkimi Evropian pritet të rrisë presionin ndaj vendeve anëtare që disponojnë rezerva të raketave interceptuese Patriot, me qëllim transferimin e tyre drejt Ukrainës, ndërsa Kievi përballet me një mungesë kritike të mbrojtjes ajrore përballë sulmeve të intensifikuara ruse.

Sipas zyrtarëve evropianë, Spanja dhe Greqia pritet të jenë në qendër të diskutimeve gjatë takimit joformal të ministrave të Mbrojtjes të BE-së në Irlandë, ku pajisja e Ukrainës me interceptorë mbetet një nga temat kryesore.

Ndërsa Spanja ka deklaruar më parë se do të dërgojë pesë raketa Patriot, Greqia mbetet e rezervuar. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka bërë të ditur se Athina i ka rezistuar presionit për të kaluar ndonjërën nga gjashtë bateritë e saj Patriot, duke argumentuar se ato janë të domosdoshme për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore greke.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se dërgesat e raketave kanë rënë ndjeshëm, ndërsa vlerësimet e Kievit tregojnë se vendit i nevojiten rreth 300 interceptorë për të përballuar sulmet ajrore përpara ardhjes së dimrit.

Furnizimi është ndërlikuar edhe më tej pasi lufta me Iranin ka detyruar Shtetet e Bashkuara të përdorin një pjesë të madhe të stoqeve të tyre të Patriotëve, duke kufizuar mundësitë për ndihmë ndaj aleatëve. Për të mbuluar këtë boshllëk strategjik, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) po zhvillon bisedime me Japoninë dhe Korenë e Jugut për të siguruar interceptorë nga rezervat e tyre.

Përveç prokurimit mbrojtës prej 6.1 miliardë eurosh të miratuar tashmë nga BE-ja për sisteme ajrore, municione dhe radarë, Brukseli po shqyrton edhe mundësi të tjera financimi.

Ukraina mund të autorizohet të përdorë paketën e ardhshme prej 90 miliardë eurosh për blerjen e sistemeve mbrojtëse kundër raketave balistike, qoftë për Patriotët amerikanë apo për sistemin evropian SAMP/T NG, të zhvilluar nga Franca dhe Italia.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb