Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dënuar sulmin kibernetik që Irani ka bërë ndaj faqeve qeveritare, përfshirë platformën e shërbimeve online e-Albania më 15 korrik, teksa qeveria shqiptare ndërpreu sot marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Osmani ka shkruar në “Twitter” se qëndrojnë me qeverinë shqiptare, teksa ka kërkuar nga Irani të përgjigjen për siç shkruan ajo “veprimin e paprecedentë”.

“Dënojmë fuqishëm sulmin keqdashës kibernetik ndaj infrastrukturës kritike të Shqipërisë. Ne qëndrojmë me presidentin Bajram Begaj dhe qeverisë shqiptare dhe i bëjmë thirrje Iranit të përgjigjet për këtë veprim të paprecedentë”, shkruan ajo.

Në Shqipëri, qeveria akuzoi sot Iranin si autor të sulmit masiv kibernetik që goditi më 15 korrik sistemet e saj të teknologjisë së informacionit, duke paralizuar për disa ditë të gjithë shërbimet online. Kryeministri Edi Rama njoftoi në mesditë vendimin për ndërprerjen “me efekt të menjëhershëm”, të marrëdhënieve diplomatike me këtë shtet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb