Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim homologun e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Në njoftimin e Presidencës mbi takimin, thuhet se Osmani rikonfirmoi përkushtimin për vazhdimin e marrëdhënieve të shkëlqyeshme me Maqedoninë e Veriut.

“Shqiptarët në Maqedonisë së Veriut, sipas Presidentes Osmani janë urë lidhëse ndërmjet të dy shteteve dhe shtyllë e stabilitetit, por edhe e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Pendarovski për përkushtimin e tij personal për raportet e shkëlqyeshme ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Sipas Presidentes Osmani, të dy shtetet kanë vizion të përbashkët për një Ballkan Perëndimor stabil dhe të integruar në BE”, thuhet në njoftim.

Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe bashkëpunimin nga Maqedonia e Veriut, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal.

Presidentja Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike sikurse Maqedonia e Veriut, Kosova mund të avancojë në rrugën e integrimit evropian.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim”, citohet të ketë thënë presidentja.

Sipas Osmanit, Kosova ka dëshmuar angazhim serioz në procesin e reformave rrënjësore, ndaj ajo thekson se meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE.

Presidentja Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut nuk është vetëm fqinje e Kosovës, por edhe partnere në shumë procese.

“Procesi i integrimit evropian është prioritet që na bashkon dhe në këtë rrugë ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë njëra-tjetrën”, ka theksuar ajo.

Në këtë kontekst, sipas Presidentes Osmani, përfshirja e Kosovës në PfP, e më pas në NATO ka një rëndësi strategjike dhe gjithashtu është garanci për stabilitet jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit.

Të dy liderët pohuan se ekziston potenciali për thellimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit tregtar, kulturor, të shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, turizmit, teknologjisë informative dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: