Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama për largimin e Vlora Hysenit nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit, duke deklaruar se shkarkimi i saj nuk e zgjidh problemin dhe duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

Reagimi vjen pas zhvillimeve të forta të kësaj të marte, kur GJKKO, me kërkesë të SPAK, caktoi ndaj Hysenit masën “arrest në shtëpi”, shoqëruar me pezullimin nga detyra. Masa raportohet se është marrë në kuadër të hetimeve të lidhura me dosjen e AKSHI-t dhe Ergys Agasin.

Bardhi pretendon se Hyseni është vendosur në krye të SHISH për t’i shërbyer interesave të krimit të organizuar, ndërsa kujtoi se akuza të ngjashme i kishte artikuluar publikisht që në vitin 2024.

“Vlora Hyseni e ka bërë shumë mirë detyrën që i ka ngarkuar Kryeministri: informimin dhe mbrojtjen e krimit të organizuar! E kam thënë nga foltorja e Kuvendit në 2024:

‘Edi Rama e vendosi Vlora Hysenin në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror si njeriun e Ergys Agasit dhe për t’i shërbyer krimit të organizuar’”, deklaroi Bardhi.

Për Bardhin, largimi i Hysenit pas masës së sigurisë nuk mjafton për të mbyllur përgjegjësinë politike të kryeministrit. Ai argumentoi se problemi nuk qëndron vetëm te personi që drejton SHISH, por te mënyra se si, sipas tij, Rama zgjedh njerëzit që vendos në krye të institucioneve.

“Prandaj, shkarkimi i Vlora Hysenit, edhe pse Kryeministri ka alergji nga fjala ‘pezullim nga detyra’, nuk zgjidh asgjë. Në vend të saj do të vijë një Vlorë tjetër, sepse Kryeministri i vendit nuk është një njeri i lirë”, u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.

Bardhi e mbylli reagimin duke kërkuar drejtpërdrejt largimin e Ramës nga drejtimi i qeverisë dhe hetimin e tij nga organet e drejtësisë.
“Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të dalë para drejtësisë!”, përfundoi Gazment Bardhi.

Vlora Hyseni u propozua nga Rama për drejtimin e SHISH në mars të vitit 2023 dhe u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj më 3 prill të atij viti. Para marrjes së detyrës, ajo kishte shërbyer edhe si këshilltare e kryeministrit për çështjet e sigurisë.

REAGIMI:

Vlora Hyseni e ka bërë shumë mirë detyrën që i ka ngarkuar Kryeministri: informimin dhe mbrojtjen e krimit të organizuar!

E kam thënë nga foltorja e Kuvendit në 2024:
“Edi Rama e vendosi Vlora Hysenin në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror si njeriun e Ergys Agasit dhe për t’i shërbyer krimit të organizuar”.

Prandaj, shkarkimi i Vlora Hysenit, edhe pse Kryeministri ka alergji nga fjala “pezullim nga detyra”, nuk zgjidh asgjë. Në vend të saj do të vijë një Vlorë tjetër, sepse Kryeministri i vendit nuk është një njeri i lirë.

Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të dalë para drejtësisë!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb