Një grabitje ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Berat. Një 44-vjeçar ka vjedhur përmes mashtrimit rreth 10 milionë lekë të vjetra, por është arrestuar nga policia, e cila i ka zbuluar dhe shumën e parave në banesë.

Në pranga ka rënë shtetasi Gentjan Mahmutaj, punëtor i një kompanie që tregton xhama në Berat.

NGJARJA:
Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se ditën e djeshme, 44-vjeçari kishte shkuar me furgon te disa klientë të kompanisë për të mbledhur detyrimet, të cilat ishin rreth 10 milionë lekë. Pasi kishte mbledhur detyrimet, ai i kishte thënë pronarit të kompanisë se persona të armatosur i kishin prerë rrugën dhe i kishin marrë paratë.

Ngjarja është denoncuar menjëherë në Komisariatin e Beratit, i cili nisi hetimet menjëherë. Pas verifikimeve, është zbuluar mashtrimi i 44-vjeçarit, i cili e kishte fshehur shumën e parave në banesën e tij.

Njoftimi i policisë:

Nga Specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

G.M, 44 vjeç, banues në lagjen Kushtrim.

Arrestimi i tij u bë pasi dyshohet se ka vjedhur shumën prej 1 milion lekë të reja, në automjetin e shtetasit R.K.

Shuma prej 1 milion lekë, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134/3 i Kodit Penal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb