Një 43-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi akuzohet se ka vjedhur një lokal në Lushnjë si dhe ka kundërshtuar forcat e rendit. Burime zyrtare bënë me dije se bëhet fjalë për shtetasin Gazment Kiptiu, banues në Lushnjë (i dënuar më parë për vjedhje).

Pas marrjes së njoftimit se në lagjen “18 Tetori” është vjedhur lokali në pronësi të shtetases T. H., shërbimet e Policisë Lushnjë organizuan punën dhe bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.

Gjatë shoqërimit të tij për në Komisariat, 43-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë dhe familjarët e tij, konkretisht shtetaset M. G., 37 vjeçe, E. K. 20 vjeçe, Sh. K. 65 vjeçe dhe R Xh., 19 vjeç, kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë duke i penguar në kryerjen e detyrës për shoqërimin e shtetasit Gazment Kiptiu.

Gjatë kontrollit të banesës u gjet dhe sekuestrua shuma e parave të vjedhura, 1 celularë, 1 ipad dhe disa paketa cigare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprat penale “Vjedhje”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb