Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte e ftuar këngëtarja e muzikës popullore Vojsava Alia, e cila rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri një rrëfim për jetën e saj profesionale dhe për atë private.
Për herë të parë, Vojsava u shfaq në një studio televizive me partnerin e saj, kompozitorin e njohur Vani Rushiti. Këngëtarja tregoi se prej 15 vitesh është duke shijuar një romancë të bukur dashurie me Vanin. Ata kanë qenë në një klasë dhe kanë qenë shokë shumë të mirë, dhe me sy që shkëlqenin nga lumturia tha se edhe sot kanë ngelur të tillë.
Ne fillim kishte frikën se mos humbte shokun e mirë që kishte nëse ata fillonin një romancë së bashku, por ndodhi që çdo gjë ka shkuar më së miri mes tyre. “Më pëlqente se ishte ai djali që i ka respektuar gjithmonë vajzat, ishte shumë i kulturuar..”, tha Vojsava.

Ajo tregoi se ata kanë një lidhje shumë të ngushtë edhe në krijimtari, duke frymëzuar njëri-tjetrin, ai për tekstet që ajo shkruan, dhe ajo për kompozimet që ai bën.

Këngëtarja tregoi se talentin e saj e zbuloi në klasën e 8 mësuesi i saj i matematikës. Teksa e dëgjoi kur ajo po këndonte e këshilloi që të vazhdonte shkollën e muzikës. Vojsava tha se kishte bindjen që do të vazhdonte për mjekësi, por më pas shkoi në shkollën e muzikës dhe prej atij momenti rrugëtimi i saj është shoqëruar me pjesëmarrje në festivale dhe aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

Vani Rushiti, i cili ishte i pranishëm gjatë rrëfimit të partneres së tij, është kompozitor i këngës së vëllezërve korçarë, “Kjo është jeta ime”, të cilën Endri dhe Stefi Prifti e interpretuan për herë të parë në një program televiziv.
Por muzika nuk mbaroi me kaq, pasi Vojsava interpretoi disa nga këngët e saj duke bërë që java për teleshikuesit e News24 të mbyllej bukur me muzikë të mirë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: