“60% e të gjithë të rriturve në Bashkimin Evropian tani janë plotësisht të vaksinuar”. Shkroi në Twitter Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke theksuar se “imunizimi i plotë na mbron nga Covid dhe variantet e tij. Qëndrojmë vigjilentë, për shëndetin tonë dhe për mbrojtjen e të tjerëve”.

Ndërkohë, Gjermania po përgatitet të vaksinojë të moshuarit dhe njerëzit në rrezik me një dozë të tretë duke filluar nga shtatori. Kjo u njoftua nga Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, i cili tha se ishte i shqetësuar për mundësinë e “një përgjigje të dobësuar imune” kundër Covid nga këto kategori. Përforcuesi i ri, me Pfizer ose Moderna, do t’u ofrohet gjithashtu atyre që tashmë kanë marrë dy doza të Astrazeneca ose një dozë të vetme J&J.

Lajm i mirë nga Brazili, ku kurba e rasteve dhe vdekjeve fillon të bjerë. Në fakt, në 24 orët e fundit në vend, janë regjistruar 20,554 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm që nga fillimi i pandemisë në 19,935,132. Mesatarja ishte 35,645 të infektuar në ditë gjatë javës së kaluar, 12% më pak se 14 ditë më parë. Numri mesatar i vdekjeve ishte 984 vdekje në ditë në javën e kaluar, më i ulëti që nga janari.

Në Iran mbi 37 mijë raste në 24 orë, kurrë kaq shumë

Të dhëna akoma alarmante në Iran. Në 24 orët e fundit, janë regjistruar mbi 37,000 raste të Covid (37,189), shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë. Kjo u raportua nga Ministria e Shëndetësisë, duke theksuar gjithashtu se ka pasur 411 vdekje të tjera në vend, asnjëherë kaq shumë në tre muajt e fundit. Për autoritetet në Teheran kjo është “vala e pestë” e virusit në Iran.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb