SARANDE- Gjykata e Sarandës, ka dhënë masën e dënimit “arrest me burg”, si masë sigurie për Ronaldo Shehun, Xhonatan Mucon dhe Thanas Hodon, si persona të dyshuar për vdekjen e 31-vjeçarit Premtim Bega më 26 korrik në Borsh. Mbi ta rëndon akuza për veprën penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose me shume personave” e kryer në bashkëpunim.

Burime për “Panorama”, thonë se në gjykatë asnjëri prej të treve nuk ka folur.

NGJARJA

Dy grupe të rinjsh kanë nisur të debatojnë fillimisht me fjalë me njëri-tjetrin e më pas kanë përdorur mjete prerëse. Si pasojë janë plagosur fillimisht Premtim Bega, 31 vjeç, Redinel Ormenaj, 24 vjeç, Donald Kosta, 24 vjeç dhe Enea Myftari, 23 vjeç, të katërt banorë të Borshit.

Kalimtarë të rastit kanë parë katër të plagosurit në rrugë dhe i kanë dërguar drejt Qendrës Shëndetësore të Borshit. Premtim Bega, 31 vjeç, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë rrugës, ndërkohë që tre të rinjtë e tjerë, pas ndihmës së parë, janë transportuar drejt spitalit të Sarandës.

Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, Donald Kosta është nisur me urgjencë drejt Tiranës, ndërsa Redinel Ormënaj dhe Enea Myftari po trajtohen në spitalin e Sarandës, pasi kanë plagë më të lehta.

ARRESTIMET
Nga dëshmitë e të plagosurve dhe disa dëshmitarëve okularë, është arritur të identifikohen tre autorët e dyshuar, pikërisht Ronaldo Shehu, 19 vjeç, nga Vlora, Xhonatan Muço, 20 vjeç, nga Vlora, dhe Thanas Hodo, 26 vjeç, nga Borshi.

Për shkak të rrezikshmërisë së tyre, policia e Sarandës ka thirrur në ndihmë dy grupe të FNSH-së dhe kolegë të Vlorës dhe Himarës. Rreth 30 efektivë policie kanë zhvilluar operacion deri në orët e paradites të së mërkurës.

Fillimisht, pak minuta pas krimit, policia ndaloi vlonjatin Ronaldo Shehu, i cili fshihej në një banesë në zonë. Ndërkohë në mëngjes, në pyllin e Kudhësit, janë kapur Xhonatan Muço dhe Thanas Hodo. Ndaj tyre policia ka ngritur akuzën e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim, dhe tri herë vrasje në rrethana të tjera cilë- suese në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

DESHMIA

Nga spitali i Sarandës, i plagosuri Redinel Ormënaj është shprehur se kishte hyrë në sherr vetëm pasi kishte parë shokët e tij që po grindeshin.

“Isha duke u kthyer nga plazhi kur kam parë disa shokë të mitë që po ziheshin në lagjen ‘Vilë’ të Borshit. Jam futur për t’i ndarë, por më kanë qëlluar disa me kaçavida. Më kanë goditur ata çunat nga Vlora. Aty rashë përtokë. Grupi kishte ardhur i përgatitur për të sulmuar”, është shprehur Ormënaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: