Familjarët e Bledar Selmanajt, vrasësit të Xhuljano Bullarit në Babicë të Vlorës kërkojnë urdhër-mbrojtje pasi i druhen një hakmarrjeje të mundshme. Sipas familjarëve Bledari është i sëmurë mendor, ai ka qenë gjithmonë problematik dhe fakti që ka përmendur shumë emra në gjykatë, sjell rrezik dhe frikë për ta.

“Prej 20 vitesh djali është i sëmurë mendor. Emrat që ai ka thënë nuk i njohim. Duam urdhër mbrojtje, kemi frikë. Deklaratat e tij nuk besoj se janë të vërteta. Nuk e mbroj djalin, por është i sëmurë”, tha nëna e autorit.

Sipas të vëllait të Bledarit, 39-vjecari kishte vetëm 15 ditë që kishte dalë nga burgu dhe nuk ka se si të ketë informacion për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në vend. I vëllai ngre dyshime se Bledari është shtyrë nga persona të tjerë për të nxjerrë emra dhe për të treguar këto ngjarje.

“Nuk kemi pasur konflikte me asnjë. Kemi frikë të dalim nga shtëpia. Jetoj me frikë për ndonjë hakmarrje”, u shpreh i vëllai.

25-vjeçari Xhuljano Bullari u vra në 21 gusht, në automjetin e tij “Fiat”, në Babicë të Vlorës. Si autor i dyshuar u vu në pranga miku i tij Bledar Selmanaj, i cili ka mohuar krimin e kryer dhe ka dhënë disa dëshmi kontradiktore që mbeten për t’u vërtetuar nga hetimet e prokurorisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb