TIRANË- Dosja hetimore për vrasjen e Devi Kasmit kalon tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se dosja ka kaluar tek Krimet e Rënda për shkak se të arrestuarve për vrasjen e Kasmit, iu është bashkëngjitur edhe akuza dhe për grup të strukturuar kriminal. Kjo akuzë hetohet për kompetencë tek Krimet e Rënda.

Do jetë Gjykata e Krimeve të Rënda që do vlerësojë masat e sigurisë për të arrestuarit. Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës Ardiana Bera shpalli moskompetencë pikërisht për shkak të akuzës së re, duke kaluar çështjen tek Krimet e Rënda.

Kjo Gjykatë do të vlerësojë masat e sigurisë për Elton Halipaj, 36 vjeç, Efthymiou Efthymious, 41 vjeç, Malvin Dinellari, 30 vjeç, Elton Hoxhallari. Në kërkim për vrasjen e Kasmit është edhe Aurel Hoxhallari.

Devi Kasmi u ekzekutua me 4 plumba mbrëmjen e 29 janarit në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’ në afërsi të banesës së tij. Atentatorët që thuhet se kanë qenë me një motor dhe të pajisur me skafandra pritën deri sa objektivi i tyre doli nga banesa, ndërsa qëlluan ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb