TIRANË- Fatmir Vladi, 44-vjeçari që është cilësuar nga prokuroria e krimeve të rënda si dëshmitari kyç në çështjen e Arben Frrokut bashkë me gruan dhe fëmijët me lejen e autoriteteve shtetërore është transferuar në një prej vendeve të Bashkimit Europian për arsye sigurie. Burime konfidenciale nga Policia bëjnë me dije se Vladi që prej disa javësh nuk ndodhet më në Shqipëri.

Ndërkaq të afërmit e dëshmitarit të mbrojtur në procesin ndaj Arben Frrokut ruhen nga Sektori i zbatimit të Masave Mbrojtëse për dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e drejtësisë por njëri prej vëllezërve të Fatmir Vladit që prej muajt janar është larguar nga Shqipëria pa lejen e organeve ligjzbatuese.

Burime të uniformave blu bëjnë me dije se njëri nga pesë vëllezërit e 44-vjeçarit ka ikur nëpërmjet aeroportit të Rinasit në fund të muajt janar për shkak të frikës nga ndonjë hakmarrje e mundshme.

Menjëherë pas marrjes dijeni për ngjarjen me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, tre efektivë Sektori i zbatimit të Masave Mbrojtëse për dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e drejtësisë/ u pezulluan përkohësisht nga puna.

Fatmir Vladi është cilësuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si dëshmitari më i rëndësishëm i procesit gjyqësor në ngarkim të Arben Frrokut që akuzohet si vrasës i kryekomisar Dritan Lamaj ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e 24 shkurtit në kryeqytet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: