Nënkryetari i Partisë Republikane Blendi Sulaj u paraqit me një parullë sot në studion e News24, teksa ka komentuar në rubrikën “Opinion” ngjarjen e ndodhur mëngjesin e djeshëm ku 25-vjeçari Klodian Rasha u vra nga policia. “Kë të marim në telefon nëse policia vret”, ishte pyetja e tij retorike.

Sulaj tha se kjo ngjarje është pasojë e presionit të madh mbi policinë e Shtetit. Sipas tij, nuk duhet të ketë ndërhyrje por të zbardhet e vërteta deri në fund.

“Nga ana profesionale do i jepja më shumë kohë zbardhjes. Nga ana tjetër në ditën e rinisë kemi vrasjen e një djali në kulmin e rinisë së tij. Nuk kam asgjë me punonjësit e policisë së shtetit por presioni politik çdo ditë ndaj tyre e ka bërë të pamundur të punohet me profesionalizëm. Policia e Shtetit është kthyer në bankë që duhet të kapë ca limite mujore. Policia e Shtetit është vënë në një presion të madh politik. Papërgjegjshmëria dhe drejtimi i Policisë së Shtetit si kazermë ushtarake dhe drejtuar nga ministri i brendshëm që nuk ka profesionalizmin e duhur.
Në rastin konkret po t’i drejtojmë një pyetje qytetarëve shqiptarë kë do merrnin në telefon nëse policia vret?
Unë mendoj se policia nuk ka pasur profesionalizmin e duhur për të gjykuar dhe reaguar në shumë çështje të ndryshme.
Është një humbje e madhe por mendoj që duhet të zbardhet ngjarja. Nuk duhet të ketë ndikim dhe presion dhe të zbardhet e vërteta deri në fund. Të mos ketë ndërhyrje të segmenteve të ndryshëm për të larë atë që ka ndodhur”, tha Sulaj.

Sipas tij, opozita po shikon zbardhjen e ngjarjes dhe reagimi i saj do të jetë proporcional.
“Vetëkontrolli nga të gjithë. Ajo që po mundohemi të bëjmë duke parë zbardhjen e ngjarjes hap pas hapi, por mendoj se reagimi më i madh është reagimi qytetar.
Të drejtat e qytetarëve preken nga një shtet që nuk pyet dhe është arrogant. Ministri i Brendshëm nuk është në gjendje të drejtojë një ministri aq më pak para zgjedhjeve”, tha ai.

Sulaj foli dhe për politikën dhe zgjedhjet e prillit se si do të vijë opozita në këto zgjedhje.
“Opozita e ka të qartë mënyrën apo sistemin me të cilat do të ecim në vazhdimësi. Opozita e ka të qartë sepse ne jemi kundër një të keqeje të madhe që është Edi Rama. Objektivi kryesor largimi i Edi Ramës. Partitë e djathta duhet të qartësojnë programin politik me të cilin do të dalin para shqiptarëve.
Kemi të gjitha mundësitë dhe gjithë kohën për të parë me çfarë do përfaqësohemi.
Opozita e ka të qartë taktikën me të cilën do të dalë dhe të qartë qëllimin që na bën bashkë. T’i japim shqiptarëve një qeveri që i përfaqëson, një kryeministër që i përfaqëson, një mundësi për anëtarësimin në BE. Shqiptarët do vendosin për dy momente, për një qeveri që i mbylli derën BE dhe një qeveri që mund t’i anëtarësojë në BE”, tha ai.

Sa i përket fushatës së PR, Sulaj deklaroi se kjo forcë ka një marrëdhënie të drejtë me qytetarët.
“Ne besoj që kemi më shumë se 4 muaj. Përveç premtimeve elektorale është marrëdhënia që ke me njerëzit. PR ka pasur një marrëdhënie të drejtë me qytetarët”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: