MEMALIAJ- Një ditë pas vrasjes së 43-vjecarit Alket Muhaj në fshatin Rabie në Memaliaj, babai i tij, Gjolek Muhaj thotë se ende nuk e di se pse iu vra djali.
Në një prononcim për “BalkanWeb” me gazetarin Ervis Kuci, babai thotë se nuk kanë pasur konflikte me askënd dhe kërkon nga shteti të kapen autorët.
“Nuk kam ndonjë dyshim pse mund te ketë ndodhur vrasja e djalit. Nuk kishim konflikte të hapura që mund të na sillte këtë fatkeqësi. I bej apel shtetit të gjendet autori. Djalin ma kane vrare me dy armë, me çifte dhe me automatik. Kanë qëlluar me automatik njëherë dhe pastaj me çifte tek koka.”- thotë babai.
Ngjarja:
Sipas burimeve, ekzekutimi i 43 vjecarit ka lidhje me një kontroll që policia ka ushtruar në datën 4 shtator në fshatin Gllavë, fshati më i afërt me atë të viktimës, ku zbuloi dhe shkatërroi një parcelë hashashi. Dyshohet se 43-vjeçari i ka treguar policisë për hashashin që kultivohej në këtë fshat. Gjithmonë sipas burimeve tepër të rezervuara, vrasja e Muhajt dyshohet të jetë vepër e pronarëve të drogës së kultivuar.
Menjëhere pas marjes së njoftimit për vrasjen, në vendngjarje në fshatin Rabie shkuan shërbimet e policisë dhe grupi hetimor të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ku deri më tani kanë shoqëruar 5 persona të cilët mund të kenë dijeni.
Ndërkohë dje pa dhënë detaje, Komisariati I Policisë së Tepelenës ka referuar materialet në Prokurori për 2 shtetas K.C 59 vjec dhe A.K 33 vjec banues në fshatin Gllave për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike. Ende nuk kemi një njoftim nga policia nëse këto ngjarje kanë lidhje me njëra tjetrën.
(BalkanWeb)