Nga: KLODIANA LALA*

TIRANE- Roland Meta, efektivi i policisë i cili qëndroi tre muaj në qeli si i dyshuar për vrasjen e Aranit Sterjos (Artur Bazes) me 5 janar 2015, por që mbylli hesapet me drejtësinë, pa u ulur në bankën e të akuzuarve, ka nisur një tjetër betejë. Kohë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda e përjashtoi Metën nga përgjegjësia penale dhe pushoi hetimet ndaj tij, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm, është efektivi i policisë i cili kërkon nga gjykata të dëmshpërblehet për ditët e qëndrimit të padrejtë në qeli. Ai ka paditur Degën e Thesarit në Tiranës dhe kërkoi nga gjykata ta urdhërojë këtë institucion për ta kompensuar. Konkretisht ai kërkon kompensim për paraburgim të padrejtë, për periudhën 08.01.2015 deri 07.04.2015, pra për 90 ditë. Gjithashtu kërkon ti paguhen edhe shpenzimet gjyqësore. Shorti elektronik ka përcaktuar gjykatësin Flamur Kapllani, i cili pritet të nisë shqyrtimin e padisë, për të vendosur nëse Roland Meta duhet dëmshpërblyer për qëndrimin në paraburgim.

Atentati në “Rrugën e Kavajës”
Ngjarja për të cilën u vu në pranga efektivi i policisë Roland Meta, ndodhi mbrëmjen e datës 05.01.2015, në “Rrugën e Kavajës” në Tiranë. Meta ndodhej në të njëjtën tavolinë me Pajtim Serjanin, Denis Ramani, e Ditmir Reçi, kur në drejtim të tyre është qëlluar nga një person, që më vonë do të identifikohej si Arjanit Sterjo alias Artur Baze. Si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur i plagosur Pajtim Serjani, një emër i njohur për policinë, për shkak të precedentëve penale në të shkuarën. Efektivi i policisë Roland Meta, ndonëse nuk ishte në shërbim në ato momente i ka bërë thirrje agresorit “ndal policia” dhe “hidhe armën në tokë”. Por, agresori teksa largohej me vrap vazhdonte të qëllonte me armë. Nga shkëmbimi i zjarrit, Artur Baze mbeti i vrarë, ndërsa punonjësi i policisë Meta, u plagos rëndë. Ai u vu në pranga në krye të herës i dyshuar për vrasje me dashje, por tre muaj më vonë do të mbyllte hesapet me drejtësinë.

Pushimi i çështjes
Pas tre muajsh hetime, Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi të pushojë ndjekjen penale ndaj Metës dhe të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të punonjësit të policisë nga qelitë e paraburgimit. “Nga hetimet konstatojmë se personi nën hetim Roland Meta, sipas nenit 19 të Kodit Penal “Nuk ka përgjegjësi penale duke qenë i detyruar të mbrojë jetën, shëndetin, të drejtat dhe interesat e tij ose të tjetrit, nga një sulm i padrejtë, i vërtetë dhe i çastit”, arsyeton prokuroria. Prokurorët kanë hetuar në të gjitha drejtimet, derisa kanë dalë në konkluzionin se në rastin konkret, Roland Meta, ndodhej në kushtet e mbrojtjes së nevojshme, ndaj në përfundim kanë vendosur ta përjashtojnë nga përgjegjësia penale. “Në ngjarjen e ndodhur më 5 janar 2015, në “Rrugën e Kavajës”, i hetuari Roland Meta u ndodh para faktit të bindjes se filloi një sulm i padrejtë, i atëçastshëm. Nga provat rezulton se Roland Meta, punonjës policie ndodhej përpara një sulmi të vërtetë, aktual dhe të padrejtë, pasi viktima autor Arianit Sterjo, kishte qëlluar me armë zjarri të llojit TT, duke vënë në rrezik jetën e vetë Rolandit dhe të shtetasve të tjerë të pranishëm”, theksohet ndër të tjera në dosje. Sipas prokurorisë, dëmtimet që ka marrë viktima kanë qenë rezultat i veprimeve që Roland Meta ka ndërmarrë në kushtet e një mbrojtje të nevojshme. Polici – sipas organit të akuzës – ka qenë i detyruar të vepronte në një mënyrë të tillë, edhe për shkak të detyrës së tij si punonjës policie.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: