Gazetarja Klodiana Lala zbardh për “BalkanWeb” detaje të reja nga atentati ndaj Preng Gjinit, me shpërthim të telekomanduar në makinë. në dosjen e policisë, që siguron gazetarja Lala, thuhet se ngjarja po hetohet për motive gjakmarrjeje e hakmarrje, që kanë të bëjnë me prishjen e pazareve të drogës.

“Ngjarja ka ardhur si pasojë e konflikteve të ashpra, që familja Gjini ka me familjen Reçi nga Rrësheni. Kjo është si pasojë e prishjes së pazareve të drogës në shtetin italian. Si pasojë e këtyre konflikteve, si pasojë e hakmarrjes dhe gjakmarrjes, janë vrarë disa persona nga këto dy familje”, thuhet në dosjen e policisë.

Më tej, gazetarja Lala raporton se nisur nga dëshmia e nipit dhe të dëmtuarit prokuroria dhe policia kanë sekuestruar dhjetëra kamera në rrugët e kryeqytetit, që po këqyren për të parë ku është vënë eksplozivi. Janë dhjetëra orë filmime që po këqyren nga një grup hetimor.

Gjithashtu, gazetarja Lala theksoi se policia ka marrë në pyetje pesë vëllezërit e Kastriot dhe Gasper Recit, të dy të fundit të ekzekutuar. “Njëri prej vëllezërve, Alfredi, i pari i shoqëruar për ngjarjen e Nesharakut, ka thënë se atë ditë ka qenë në ambientin e tij të punës. Ai është shprehur se ngjarjen për vendosjen e eksplozivit në makinën e Gjinit e ka mësuar nga mediat. Ai ka thënë se e njeh shtetasin Preng Gjini vetëm për faktin se janë nga e njëjta zonë, Rrësheni, por mohon kategorikisht të ketë njohje me të. Të njëjtën gjë kanë thënë edhe katër vëllezërit e tjerë të tij”, shprehet gazetarja.

Nga hetimet rezulton se familjarët e të dyja grupeve janë të larguara jashtë shtetit, si fëmijët e Preng Gjinit, ashtu edhe fëmijët e vëllezërve Reci.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb