Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dorëzoi në gjykatë dosjen penale ndaj ish-punonjësit të policisë së Dibrës, Arbër Sula, i cili me armën e shërbimit vrau 29-vjecarin Jurgen Duka Mëziri, 20 minuta pas mesnate me 14 dhjetor 2021, pas një sherri në një market për radhën e pagesës.

Ndaj punonjësit të policisë është ngritur akuza e “vrasjes në gjendje të tronditjes së fortë psikike”, ndryshe nga sa u akuzua në krye të herës për “vrasje me dashje”.

Familjarët e viktimës thonë se në këtë mënyrë i afërmi i tyre po vritet për së dyti nga institucionet e drejtësisë, pasi në këtë mënyrë autori brenda pak muajsh del në liri.

Amarilda Mëziri, kushërirë e 29-vjeçarit të vrarë tregon për News24 se shumë detaje të ngjarjes janë manipuluar, pasi sikurse thekson, krimi ndodhi në syrin e kamerave të sigurisë dhe një polic që është i trajnuar për të garantuar jetën e qytetarëve, nuk mund t’i merrte jetën të afërmit të saj.

“Jurgeni ishte vëllai im. Jemi shumë të shqetësuar. Sepse është ndryshuar akuza. Nuk është më vrasje me dashje. Por e kanë transformuar në një akuzë që jemi habitur, në ‘vrasje në gjendje të rëndë psikologjike’ të autorit. Është një vrasje me dashje nga një polic shteti me armën e shtetit, që është trajnuar të mbrojë të rinjtë jo që të vrasë”, deklaroi motra.

https://www.youtube.com/watch?v=RXxhfkkYuLU

Gruaja e cila jeton jashtë vendit ka ardhur në Shqipëri enkas për të ndjekur procesin, pasi prindërit e Jurgenit siç thonë ajo janë në gjendje shumë të rënduar që pas krimit të rëndë. Ajo thotë se kërkojnë drejtësi dhe nuk do të ndalen derisa autori të marrë dënimin e merituar. Sipas saj, në mënyrën sesi institucionet po veprojnë po nxisin gjakmarrjen.

“Duke pasur drejtësi në jemi më të qetë. Ne nuk do ndalojmë deri në gjykatat e larta, që të ketë drejtësi. Unë këtë gjë e bëj, sepse dua të ndaloj gjëra të tjera. Duke mos pasur drejtësi, ndodhin gjëra të rëndë. Njerëzit bëjnë drejtësi vetë. Këtë dua të ndaloj”, u shpreh motra.

Jurgen Duka Mëziri ndodhej bashkë me një mikun e tij Orges Drazhi në një market në rrugën “Irfan Tomini” dhe prisnin radhën në kasë për të paguar. Prokuroria thotë se 29-vjeçari ka sharë dhe fyer personat e pranishëm dhe në momentin që tentoi të godiste punonjësin e policisë, ky i fundi nxori armën e shërbimit dhe e qëlloi për vdekje. Prokuroria thotë se policia veproi në kushtet e tronditjes, por është gjykatësi paraprak që do të vendosë nëse çështja është hetuar si duhet dhe nëse lehtësimi i akuzës për Arbër Sulën është bërë konform ligjit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb