Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha në një postim në rrjetet sociale se vendi i tij po përballet me presione të ndryshme politike nga rajoni, duke përmendur në mënyrë direkte Prishtinën, Tiranën dhe Zagrebin, dhe paralajmëroi blerje të reja ushtarake.

“Situata e sigurisë është disi më komplekse sesa në janar, kur e trajtuam atë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të aleancës ushtarake të Prishtines, Tiranës dhe Zagrebit. Angazhimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit nuk ka ndryshuar, dhe ne mund ta ruajmë atë vetëm nëse jemi mjaftueshëm të fuqishëm”, shkroi Vuçiç në Facebook.

Ai shtoi se, pavarësisht këtyre zhvillimeve, institucionet serbe do të vazhdojnë punën për forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare në rajon.

Si komandant suprem i Forcave të Armatosura Serbe, tha se ka propozuar miratimin e një strategjie për robotizimin e këtyre forcave.

Sipas tij, plani përfshin krijimin e njësive ushtarake të pajisura me platforma robotike dhe dronë sulmues me rreze të gjatë veprimi, si dhe përdorimin e municioneve “fluturuese”.

Po ashtu, ai paralajmëroi trajnimin e njësive speciale të zbulimit për përcaktimin e koordinatave të objektivave për përdorim të artilerisë dhe aviacionit, si dhe zgjerimin e përdorimit të dronëve në pjesë të tjera të ushtrisë.

Vuçiç tha se këto masa synojnë modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve ushtarake të Serbisë.

“Në ditët në vijim, do të nënshkruajmë kontrata shumë të rëndësishme për prokurimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake. Presim vizita të rëndësishme dhe kontrata të reja me vende të tjera, me qëllim bërjen e porosive të mëdha për ushtrinë tonë. Besoj se në periudhën në vijim, do ta ngremë në një nivel më të lartë gjithçka që kemi folur sot”, tha Vuçiç.

“Mendoj se do të jemi një nga ushtritë me ndërveprimin më të theksuar dhe aftësitë më të mëdha jo vetëm në rajonin tonë, por edhe më gjerë”, shtoi ai.

Kujt i referohet Vuçiç?

Vitin e kaluar, Kosova dhe dy shtete të rajonit të Ballkanit Perëndimor që janë pjesë e NATO-s, Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan marrëveshje për thellim të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.

Përfaqësuesit e tri vendeve thanë atëkohë se do të rrisin ndërveprueshmërinë e ushtrive përmes edukimit, trajnimit dhe stërvitjeve të përbashkëta, si dhe do të angazhohen në luftimin e kërcënimeve hibride.

Ata theksuan se aleanca mes tyre nuk është e drejtuar kundër askujt, por Vuçiç, në disa raste, e përshkroi atë si kërcënim për Serbinë.

“Ne po përgatitemi për sulmin e tyre. Ata nuk synojnë të mbrohen, por të sulmojnë. Po formojnë aleancë ushtarake për të na sulmuar”, tha Vuçiç për Radio-Televizionin e Serbisë, më 12 mars.

Çfarë kapacitetesh posedon ushtria serbe?
Edhe pse pretendon neutralitet ushtarak, Serbia është ushtria më e shtrenjtë në Ballkanin Perëndimor.

Sipas të dhënave të Institutit të Stokholmit për Kërkime mbi Paqen (SIPRI), vetëm në vitin 2024, ajo shpenzoi 2.2 miliardë dollarë – rreth pesë herë më shumë se Shqipëria, që zë vendin e dytë në rajon për shpenzime ushtarake.

Muajin e kaluar, Vuçiç njoftoi për blerjen e raketave balistike supersonike nga Kina për forcën e tij ajrore. Kështu, ajo u bë fuqia e parë në Evropë e pajisur me raketa ajër-tokë CM-400AKG, të cilat kanë rreze veprimi prej qindra kilometrash.

Serbia ka në arsenalin e vet edhe armë nga Perëndimi, si avionë Rafale, por edhe nga Rusia, si MiG-29./ REL

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb