News 24 zbardh propozimin e Partisë Demokratike për financimin e partive në zgjedhje. Janë 5 risitë e propozuara, mes tyre, reduktim drastik i financimit privat të partive në zgjedhje dhe rritje e financimit publik.

Në draftin e siguruar nga gazetari, Osman Stafa, saqarohet se financimi privat nuk duhet të jetë më i madh se 50 % i masës së financimit, të cilin subjektet e kanë përfituar nga buxheti i shtetit. Po ashtu, propozohen kufizime më të forta mbi donacionet që vijnë nga privatët.

Në draft sqarohet se, nuk lejohet të dhurojnë ata që kanë përfituar nga kontratat shtetërore 4 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë. Personat apo kompanitë që dhurojnë për kandidatët dhe partitë në zgjedhje përjashtohen për 4 vjet nga përfitimi i kontratave shtetërore mbi 10 milionë lekë.

Sipas PD, duhet të ketë kontroll të ndërsjelltë të shpenzimeve financiare të partive në zgjedhje nga partitë rivale.

Po ashtu kërkohet, verifikim direkt nga ekspertët e partive të transaksioneve financiare në bankat e nivelit të dytë përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave.

Sipas PD-së, kërkohet, pavlefshmëri e mandatit dhe përfundim i parakohshëm i mandatit nga KQZ-ja për të zgjedhurin ose subjektin zgjedhor, kur shkelja e dispozitave për financimin e partive politike përbën vepër penale.

Në draftin e siguruar nga gazetari, Osman Stafa ndër të tjera sqarohet se financimi i partive duhet të udhëhiqet nga parimi i transparencës, ndërsa burimet financiare të partive duhet të publikohen kurdoherë.

Raporti financiar i partive duhet të dorëzohet brenda 45 ditësh nga mbajtja e zgjedhjeve.

Ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organi që do të monitorojë financimin e partive politike.

Në draft thuhet se: “Ndalohet financimi i fushatave zgjedhore nga fonde, dhurata apo shërbime pa kundërshpërblim, të dhëna nga persona fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, jashtë rasteve dhe rregullave të parashikuara nga ky ligj. Shkelja e këtij ndalimi sjell përgjegjësi ligjore për personin përgjegjës për financat në atë parti politike, si dhe për personin fizik ose juridik, vendas apo të huaj”.

Po ashtu sqarohet se: “Shuma që çdo person fizik ose juridik mund t’i japë një subjekti zgjedhor, duke përfshirë dhe kandidatët nuk mund të jetë më e madhe se 1 milion lekë ose kundërvlefta në sende ose shërbime”.

Ndalohet dhënia e fondeve nga një person juridik apo çdo aksionar i tij si dhe personat e lidhur te tyre deri ne shkalle të trete, nëse ndodhet në një nga kushtet e mëposhtme: ka përfituar fonde publike, kontrata publike apo koncesione në 4 vitet e fundit me vlerë mbi 10 milionë lekë.“Ky ndalim zbatohet edhe në rastin e nënkontraktimeve apo të kontratave te partneritetit publik privat.”;ushtron veprimtari në fushën e medias; ka qenë partner me fonde publike në projekte të ndryshme; ka detyrime monetare ndaj Buxhetit të Shtetit ose ndaj çdo institucioni publik. Ky detyrim nuk zbatohet nëse aksionari i zotëron këto aksione si rezultat i ofertës publike.

“Personat fizikë ose personat juridikë apo personat e lidhur deri ne shkalle te trete që i kanë bërë dhurime një partie politike apo kandidati në zgjedhje nuk mund të përfitojnë për periudhën deri 4 vjet pas datës së zgjedhjeve, kontrata publike, kontrata të partneritetit publik privat ose në çdo mënyrë mënyrë tjetër fonde me vlerën torale që tejkalon shumën prej 10 milion lekë, përfshirë edhe si nënkontraktues të një kontrate/koncesioni publik.”, – sqarohet në draftin e PD.

  • foto galeri

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb