NGA KLODIANA HAXHIAJ
DURRES- Të tjera zbulime arkeologjike kanë dalë në dritë gjatë ditës së djeshme gjatë punimeve që po bëhen në sheshin “Veliera” të qytetit të Durrësit dhe konkretisht në pjesën perëndimore të tij, aty ku pak ditë më parë u zbuluan themelet e një godine të periudhës së mesjetës. Punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit të këtij qyteti kanë gjetur një top tjetër, më i vjetër se i pari dhe në madhësi të vogël; disa predha prej guri si dhe një skulpturë me kokën me çallmë të një personi që mendohet të ketë qenë zyrtar i lartë i asaj kohe.
Gërmimet që po bëhen nga punonjësit e ndërmarrjes në fjalë mbikëqyren nga disa arkeologë të rinj. Të pyetur nga “GSH”, punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit (janë në varësi të Bashkisë së Durrësit) thanë se po punojnë prej disa ditësh në shesh, pasi janë urdhëruar nga drejtuesit e tyre.
Topi i dytë u gjet në themelet e godinës së periudhës osmane, që dyshohet se ka qenë dogana e portit të Durrësit, me drejtim nga deti, pjesë e fortifikimit të këtij porti dhe mbrojtjes së tij nga çdo rrezik. Pritet që strukturat e monitorimit të kontraktuar nga Bashkia e Durrësit si Instituti i Monumenteve të Kulturës etj. të japin sot një vendim në lidhje me të ardhmen e këtyre zbulimeve, nëse ato do të varrosen apo do të konservohen, për t’u bërë të vizitueshme nga qytetarët dhe turistët.
Ndërkohë, në lidhje me zbulimet arkeologjike në sheshin “Veliera” kanë reaguar intelektualët durrsakë, të cilët i kanë bërë apel qeverisë që kjo pasuri arkeologjike të mos varroset njësoj si zbulimet e mëparshme, por të kthehet në një vend për atraksion turistik e të vizitueshëm për të gjithë qytetarët e turistët e huaj.
REAGIMI
Sali Hidri, profesor doktor arkeolog u shpreh dje se, “çdo zbulim është i rëndësishëm për Durrësin tonë. Mendoj që bashkia dhe autoritet në mënyrë kategorike nuk duhet të varrosin këtë zbulim, por ta vlerësojnë siç duhet, duke e konservuar dhe duke e ruajtur në pjesë prej xhami, për ta bërë të vizitueshëm për të gjithë qytetarët dhe turistët. Këtu jemi në zemër të qytetit bregdetar dhe është shumë e rëndësishme që kjo të mos varroset. Sa për pjesën tjetër të këtij sheshi që është mbuluar, nuk di çfarë të them pse e kanë bërë këtë gjë, por duhet të mbahet përgjegjësi”.
Studenti Andi Bora, në emër të shoqërisë civile kërkoi që çdo zbulim arkeologjik të ruhet e të kthehet në atraksion turistik për t’i shtuar vlerat qytetit të Durrësit.
Gazetari Gjergj Thanasi u shpreh se “Durrësi është shumë i pasur, është si qypi me flori. Sa më shumë të gërmosh, aq më shumë zbulime arkeologjike dalin në dritë. Mund të bëhen të dyja, edhe gërmimet edhe sheshi ‘Veliera'”.
Avokati Ilir Malindi deklaroi se pasuria arkeologjike e Durrësit duhet të ruhet e të trashëgohet brez pas brezi si një vlerë e shtuar e këtij qyteti. Qytetarët thanë se janë mjaft të zhgënjyer nga bashkia, pasi sipas tyre, edhe këto zbulime kanë për t’u varrosur poshtë betonit.
(Gazeta Shqiptare)
