E përditshmja “Panorama” ka publikuar sot pjesën e dytë të një dossieri, ku studiuesi i shkencave historike Beqir Skreli nxjerr disa dokumente të CIA-s, ndërsa flitet për marrëdhënien mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Në raport thuhet se mes tyre ka armiqësi.

Zhvillimet në Shqipëri dhe veçanërisht raportet ndërmjet liderëve kryesorë të regjimit komunist kanë qenë në vëzhgimin e pandërprerë të shërbimeve të fshehta amerikane. Fakti pak i njohur pohohet më së fundi në dokumentet e deklasifikuara të CIA-s. Studiuesi i shkencave historike dhe bashkëpunëtori i “Panorama”, Beqir Skreli, që jeton dhe punon në SHBA, ka sjellë nga hulumtimet e tij për gazetën një cikël shkrimesh që kanë në fokus raportet e panjohura të shërbimeve amerikane për profilin e udhëheqësve shqiptarë dhe raportet konfliktuale ndërmjet tyre.

Beqir Skreli

Agjencia Qendrore e Informacionit të SHBA-ve, siç konkludohet në zbulimin e Skrelit, ka pasur vazhdimisht në qendër të vëmendjes zhvillimet e brendshme për kreun e partisë dhe të shtetit komunist, duke qëmtuar informacione të rregullta për ecurinë e tyre. Ajo, madje, interesohej për shëndetin e tyre, familjet, miqësitë, për karakterin, aftësitë, veset, lidhjet shoqërore, të shkuarën, manitë etj.
Burimet e informacionit kanë qenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga emigrantët politikë, agjentët e fshehtë brenda vendit, agjentët e dërguar nga jashtë, vizitorët që ktheheshin nga Shqipëria, gazetarët, shtypin shqiptar dhe të huaj, diplomatët, shërbimet e huaja, sidomos ato jugosllave, greke dhe italiane. Në ciklin që po publikojmë veçohen raportet për mënyrën si CIA vëzhgonte rivalitetin ndërmjet Hoxhës, shefit të Partisë dhe Shehut, kreut të Ekzekutivit shqiptar, që vinte në këtë post nga detyra e ministrit të Brendshëm…

BEQIR SKRELI
Agjencia Qendrore e Informacionit (CIA) ka ndjekur me vëmendje të madhe të gjitha situatat politiko-shoqërore në Shqipëri gjatë periudhës së regjimit komunist. Në qendër të vëmendjes së kësaj agjencie spiunazhi duket se kanë qenë zhvillimet në gjirin e udhëheqjes shqiptare e, veçanërisht marrëdhëniet midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Këta të dy konsideroheshin si dy udhëheqës me të vërtetë të zotët, kurse të tjerëve u referohej si mediokër dhe servilë të tyre. CIA interesohej për shëndetin e tyre, për karakterin, aftësitë, të metat dhe dobësitë, lidhjet shoqërore, gradimet, familjet, të shkuarën, marrëdhëniet… Ajo shfrytëzonte çdo lloj burimi, që nga emigrantët politikë, agjentët e fshehtë brenda vendit, agjentët e dërguar nga jashtë, vizitorët që ktheheshin nga Shqipëria, gazetarët, shtypin shqiptar dhe të huaj, diplomatët, shërbimet e huaja, sidomos ato jugosllave, greke dhe italiane. Ajo mblidhte informacion, analizonte, klasifikonte, hamendësonte, përgatiste plane, interpretonte.

P.sh., rritjen e Enverit në gradë nga gjeneralkolonel në gjeneral, CIA e interpretoi si një hap përgatitor nga ana e rusëve për të rritur praninë ushtarake në Shqipëri nën komandën e një ushtaraku të lartë sovjetik. Ose kur Mehmeti me propozimin sovjetik u rrit në gradë, kjo u interpretua si një sinjal që i jepte Moska Enverit se Mehmeti kishte përkrahjen e saj. Në kërkesat ndaj agjentëve që hidheshin në Shqipëri ishte edhe pyetja: Si janë marrëdhëniet Hoxha-Shehu?

Ç’thonë njerëzit për ta? Sipas dokumenteve të deklasifikuara, të bëra publike deri tani nga kjo agjenci, marrëdhëniet midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut trajtohen si vazhdimisht të tensionuara, marrëdhënie rivaliteti, marrëdhënie lufte të ashpër për pushtet ku Mehmet Shehu, për ambiciet e tij dhe me përkrahjen e rusëve, është përpjekur të zërë vendin e Enver Hoxhës.

RIVALITET I ASHPËR
Rivaliteti midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut ishte një fakt i njohur dhe i padiskutueshëm për CIA-n. Raportet flasin me terma të tilla si “armiqësia midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut” , “rivaliteti midis Hoxhës dhe ministrit të Brendshëm, gjeneral-lejtënant Mehmet Shehut”, “sherre të ashpra dhe rraskapitëse në prapaskenë midis Hoxhës dhe Shehut”, “konflikt ideologjik midis sekretarit të parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë Enver Hoxha dhe Kryeministrit Mehmet Shehu”, “qarkullojnë fjalë për një çarje midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në rivalitetin e tyre për pushtet”, “marrëdhëniet e tyre personale janë të këqija”, “luftë e brendshme midis Hoxhës dhe Shehut”, etj.

Por cilët janë Hoxha dhe Shehu në sytë e CIA-s në këtë lidhje konfliktuale? Përgjigjja është se “Hoxha dhe Shehu janë të vetmit udhëheqës të regjimit me të vërtetë të zotë; të tjerët janë servilë mediokër” (Raport i CIA-s, 13 mars 1955), madje si të vetmit që kishin në dorë fatet e Shqipërisë. CIA kishte planifikuar që në vjeshtën e vitit 1954 të organizonte në Shqipëri një grusht shteti në bashkëpunim me agjenturat jugosllave, greke dhe italiane për të sjellë në fuqi “Komitetin për Shqipërinë e Lirë”.
Krahas masave të tjera të parashikuara për realizimin e grushtit të shtetit, në pikën 4 të dokumentit parashikohej: “Infiltrimi në Shqipëri me mjetet më të sigurta të mundshme të një agjenti amerikan të nivelit të lartë me autoritet të takonte Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun dhe t’u ofronte deri në 500 mijë dollarë dhe siguri për dezertimin e tyre (defection). Dezertimi do të përfshinte lëshimin e urdhrave ushtrisë dhe sigurimit për të hedhur armët në momentin e përshtatshëm.” (30 qershor 1953).
Sipas një bashkëpunëtori të CIA-s (nëntor 1954)”Mehmet Shehu, sigurisht, nuk mund të konsiderohet si mik i Hoxhës, përderisa Shehu po përpiqet ta neutralizojë pozitën e Hoxhës dhe një ditë të zërë vendin e tij.” “Qysh prej zgjedhjeve të verës 1950, qarkullojnë fjalë për një çarje midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në rivalitetin e tyre për pushtet. Thuhet, gjithashtu, se shumë oficerë të ushtrisë dhe zyrtarë të lartë të shtetit kanë marrë anën e Shehut.” (14 mars 1951)

“Marrëdhëniet e tyre personale janë të këqija dhe kjo vjen kryesisht prej egoizmit dhe xhelozisë së Shehut. Ai e mban veten për fitimtarin e revolucionit shqiptar. Ai po punon të marrë udhëheqjen dhe mundohet të dëgjohet në publik, për të fituar simpatinë e popullit, sa më shumë të jetë e mundur. Por njerëzit nuk e pëlqejnë, në fakt, kanë aq antipati për të, sa as emrin nuk ia përmendin. Shehu ka pak pasues, përfshirë oficerët që kanë qenë me të në brigadën partizane.”(26 shtator 1952)

“Armiqësia buron pjesërisht nga burgosja prej Shehut e përkrahësve të ndryshëm të Hoxhës, duke i akuzuar për mungesë besnikërie politike. Veç kësaj, Hoxhës i ka ardhur në majë të hundës (exasperated) nga përpjekjet e vazhdueshme të Shehut për të zgjeruar pushtetin e tij personal me pretekstin se po ushtron autoritetin e tij si ministër i Brendshëm për ruajtjen e sigurisë së vendit.” (dhjetor 1951)
Në takimin e nivelit të lartë të CIA-s dhe të UDB-së, më 16-17 shkurt 1953, u tha se “Sundimtari i vërtetë i Shqipërisë është Mehmet Shehu”. Një nga përfaqësuesit jugosllavë u shpreh se Mehmeti “gëzonte besimin e plotë të sovjetikëve, mban poste kyçe në parti, qeveri, ushtri dhe ka spastruar të gjitha institucionet e shtetit shqiptar”. Kështu u shpreh një nga përfaqësuesit jugosllavë në takimin e lartpërmendur CIA-UDB. Nuk ka të dhëna se si e ka nxitur CIA këtë rivalitet, po e sigurt është se ky rivalitet shikohej si shenjë dobësie e regjimit.

“Në Partinë Komuniste Shqiptare ka faktorë që e forcojnë regjimin e Hoxhës, ka edhe që e dobësojnë. Një nga dobësitë është ndarja e partisë në grupin e Hoxhës dhe në grupin e Shehut”. Në konkluzionet e saj, CIA tregohet shumë e kujdesshme në lidhje me fatin e kësaj lufte brenda udhëheqjes shqiptare. “Gjykuar nga raportet që na arrijnë, situata politike në Shqipëri nuk ka ndryshuar. Armiqësia midis Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut vazhdon, por nuk ka të dhëna për një larje të shpejtë hesapesh”, thuhet në Memorandumin e CIA-s të 9 korrikut 1952.

Sipas një vlerësimi për Shqipërinë të të gjitha agjencive të spiunazhit amerikan: “Hoxha jo vetëm e shkëputi Shqipërinë nga lidhjet me Jugosllavinë, por arriti të eliminonte edhe konkurrencën serioze për udhëheqje brenda vendit. Rivaliteti që raportohet midis Hoxhës dhe ministrit të Brendshëm, gjenerallejtënant Mehmet Shehut, nuk pritet të ketë ndonjë rëndësi të madhe deri sa të dy, me sa duket, janë nën kontrollin e fortë të Kremlinit.” “Enver Hoxha, si udhëheqësi i Partisë së Punës, është akoma njeriu më i fortë në Shqipëri. Mehmet Shehu vështirë se do të mund të arrijë t’i rrëmbejë atij postin “Numër Një”.

Në qoftë se vjen puna për të eliminuar Shehun, Hoxha mund të ngrejë kundër tij dy akuza: së pari brutalitetin e Mehmetit gjatë luftës; së dyti, më 1952 ose 1953, kur Enveri ishte në një vizitë në Moskë, Shehu shpalli publikisht intensifikimin e programit të kolektivizimit të cilin Hoxha e anuloi menjëherë sa u kthye. (raporti i CIA-s, 13 mars 1955) Tajar Zavalani e plotëson më tej këtë ide në dokumentin e datës 9 qershor 1952. Ai thotë se kur Enveri ishte në Moskë për të kërkuar ndihma, “Mehmet Shehu ndërmori një fushatë të ethshme kundër të ashtuquajturve kulakë dhe për kolektivizimin e detyrueshëm të bujqësisë. Kur u kthye, Enver Hoxha e anuloi këtë politikë dhe bëri përgjegjës Plenumin e Komitetit Qendror. Kështu Hoxha rivendosi pozitën e tij si udhëheqës dhe Mehmet Shehu shpëtoi lëkurën.” Një bashkëpunëtor i CIA-s, që kishte qenë në Shqipëri për 35-vjetorin e çlirimit, raportonte se Enveri ishte sëmurë dhe se “Mehmet Shehu, numri dy në udhëheqje, vështirë se mund të zgjidhej në vend të Enverit, sepse populli nuk e pëlqente.” (janar 1980)
Burimi: Panorama.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb