Shkaku i vdekjes së nënës së Kris Jenner është zbuluar, gati dy javë pasi u përhap lajmi se Mary Jo “MJ” Shannon kishte ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare.
Sipas certifikatës së vdekjes, e cila u sigurua nga Us Weekly, nëna e yllit të reality show-t ndërroi jetë më 16 korrik nga një atak kardiak. I njëjti dokument thotë gjithashtu se dështimi akut i frymëmarrjes dhe kanceri metastatik i mushkërive kontribuan në përkeqësimin e gjendjes së saj. U zbulua gjithashtu se trupi i saj u dogj më 23 korrik.
Kris Jenner njoftoi lajmin për vdekjen e saj në një postim në rrjetet sociale për t’i thënë lamtumirë nënës së saj. ” Sot i thamë lamtumirë mamasë sime të bukur, MJ. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë se çfarë domethënie kishte ajo për mua ose dhimbjen e ndarjes. Mamaja ime ishte zemra e familjes sonë. Ajo më mësoi gjithçka që ka vërtet rëndësi. Të duash familjen tënde me gjithë zemër, të jesh e sjellshme, të jesh aty për njerëzit që do dhe të mos e marrësh kurrë si të mirëqenë asnjë moment me ta “, shkroi ajo, ndër të tjera.
Mary Jo “MJ” Shannon ishte bërë e njohur për publikun e gjerë nëpërmjet paraqitjeve të saj të shpeshta në reality show-n Keeping Up with the Kardashians, ndërsa në vitin 1980 themeloi dyqanin e fëmijëve Shannon & Co. në San Diego. Disa ditë pas vdekjes së saj, më 26 korrik, kur do të mbushte 92 vjeç, Jenner nderoi përsëri kujtimin e saj, duke shkruar në një postim në Instagram: ” Gëzuar ditëlindjen në parajsë, mami. Të dua .”
