NGA: ENIDA HIMAJ*Edhe pse “Big Brother” ka mbaruar, jehona që la pas ende nuk është venitur. E si në çdo kompeticion, edhe këtë herë emri i fituesit është shoqëruar me polemika. Pas triumfit të djaloshit nga Prizreni, Veselit, në rrjetet sociale filloi të përflitej se fituesi ishte caktuar më herët. Në këtë intervistë për “Summer Pages”, është autorja e “Big Brother”, Zefina Hasani ajo që sqaron njëherë e mirë se Veseli mundi ta fitonte çmimin e parë pas votave marramendëse të publikut.

Më tej ajo flet edhe për skenat e seksit në “Big Brother”, duke thënë se nuk ka asnjë mungesë etike, pasi sekuencat janë transmetuar pas orës 23:00. E për të gjithë besnikët e këtij formati, autorja premton se vitin tjetër do të vijë përsëri në ekran, këtë herë me surpriza të tjera. Zefina nuk harron pa përshkruar edhe banorët, në sytë e saj, duke na rrëfyer se për të gjithë ka tashmë një simpati, edhe pse po i takon rrallë e më rrallë, duke qenë se banorët e “Big Brother 8” po shijojnë ende famën që kanë marrë.

Si ishte ky “Big Brother” parë nga sytë e një organizatoreje?
“Big Brother” është një projekt i madh, shumë i madh, për të cilin ne të stafit por dhe banorët si protagonistë, u përpoqëm të japim gjithçka duhej e gjithçka mundëm. “Big Brother” në çdo edicion të tij është një mekanizëm gjigant që kur ndizet jo vetëm që nuk pushon për as edhe një sekondë deri në mbarimin e 100 ditëve, por kërkon çdo ditë e më shumë, sy e veshë jashtëzakonisht të vëmendshëm. Ky ka qenë çdo sekondë meraku ynë. Të ndërtosh e të vëzhgosh një jetë paralele, televizive, që ndjell kuriozitet të madh te publiku, është përgjegjësi e madhe dhe, më besoni, është punë e vështirë por dhe shumë emocionuese. “Big Brother” është një “reality show” që edhe në këtë edicion të 8-të, pavarësisht konkurrencës së fortë, shënoi rritje të audiencës, e jo vetëm në televizion. Në këto kohët e internetit sfida për shikueshmëri të lartë bëhet edhe në faqet zyrtare, në web, “Facebook”, “Twitter” e “Instagram”, ku janë shënuar rekorde klikimesh e ndjekësish. Ndodhte që për një video që hidhnim, klikimet të shkonin mbi 70 mijë brenda pak minutash, thjesht për një sekuencë të shkëputur nga jeta në shtëpinë “Big”. Publiku jo vetëm i ka ndjekur, por edhe i ka votuar fuqishëm banorët e këtij edicioni, duke shënuar këtë vit numrin më të lartë të votimit në natën finale, çka tregon se njerëzit jo vetëm të shohin, por edhe përfshihen e impenjohen fort për këtë format, të cilin, po sipas shifrave treguese, e ndjekin jashtëzakonisht shumë edhe në kanalet “Digitalb”. Pra shqiptarët nuk kursejnë kur bëhet fjalë për “Big Brother”.

Është folur shumë edhe për konkurrentët këtë vit, janë akuzuar se nuk kanë një nivel intelektual; si ju janë dukur juve, kur i keni njohur paraprakisht?
Çdokush që aplikon për të provuar eksperiencën e “Big Brother”, para se ta prekë këtë ëndërr duhet të përballet fort me audicionet, me një grup profesionistësh që nuk e lëshojnë lehtë ‘Po’-në kaluese për askënd. Unë s’di se si mund të quhen pa nivel banorët e këtij edicioni, kur pothuajse të gjithë ishin ose studentë, ose të diplomuar në fakultete të ndryshme. Të gjithë ishin të angazhuar me kurse profesionale, në projekte, punë e biznese, pra vinin nga eksperienca të vlerësueshme. S’di si mund të quhet pa nivel Eleonora, zysha e nderuar e Histori-Gjeografisë në një nga shkollat e njohura të Tiranës, Diedoni stomatolog i njohur në Mitrovicë e Prishtinë, Alba e diplomuar për Gjuhë të Huaja, Veseli ende student për menaxhim biznes, Xhensila e diplomuar në këtë fushë, Fatjoni gjithashtu i diplomuar e kështu me radhë. Pastaj, kam një pyetje për të gjithë ata që i paskan komentuar si pa nivel banorët: E pse u dashka të jenë të gjithë me nivel të lartë intelektual në shtëpinë e “Big Brother”? Po në jetën reale, ku ne jetojmë çdo ditë tonën, a mos vallë të gjithë njerëzit që na rrethojnë janë me nivel të lartë, janë perfektë e pa asnjë të metë? Duhet të mos harrojmë as edhe një moment se në “Big Brother” vjen e pasqyruar jeta që ndodh dhe jashtë mureve të asaj shtëpie. Qëllimi i “Big Brother” është të sjellë jetën e vërtetë ku ne jetojmë e përmes problemeve, halleve e të metave që ata mbartin me vete të përcjellim mesazhe se si gjërat duhen bërë më mirë. E, sigurisht, flitet dhe për gjërat pozitive e gëzimet që ata sjellin në atë shtëpi, si motivim për të gjithë ata që na ndjekin 24 orë në 24.

Thuhet se fituesi nuk diskutohet, por këtë vit është folur shumë për fitoren e Veselit, disa e kanë quajtur një fitues të paracaktuar; çfarë reagimi keni për këto zëra?
Ku ka fitues apo humbës, ka gjithmonë edhe komente. Çdokush ka të drejtën e vet të komentojë, por ligjërisht dhe zyrtarisht “Big Brother” lexon dhe pranon vetëm votat që vijnë përmes SMS-ve në numrat zyrtarë. Veseli është fituesi i këtij edicioni i shpallur nga një numër i jashtëzakonshëm votash, e jo vetëm nga Kosova, por edhe Shqipëria. Veseli ka gjithë të drejtën të gëzojë, sepse votimi për të ka qenë marramendës. Të gjithë atyre që e kanë komentuar si fitues të paracaktuar do doja t’ju thosha: Ju lutem, mos ia prishni këtë gëzim sepse e ka merituar. Ju lutem, mos fyeni votën e të gjithë atyre që kanë votuar.

Nëse Zefina do të ishte publik, kë do të votonte si fitues të “Big Brother 8”?
Në një rast si ky nuk kam shansin të jem publik. Unë votëntime e kam dhënë për të gjithë ata, që bashkë me kolegët në kohën e audicioneve, i zgjodhëm si banorët e këtij edicioni.

A u ndje mungesa e Arbana Osmanit këtë vit në “Big Brother”?
“Big Brother” është patenta, është programi që për aq kohë sa “Top Channel” do ta gjykojë si të vlefshëm për t’u sjellë në ekran, do të vazhdojë të jetë, pavarësisht njerëzve që ofrohen apo kanë mundësinë të angazhohen e punojnë për të. Arbana është Arbana, e preferuara e të gjithëve. Për vetë faktin se që në fillim e për shtatë vjet me radhë “Big Brother” u prezantua nga Arbana, njerëzit e lidhnin këtë program me figurën e saj. Ndodhi që në këtë edicion, moderator të ishte Ledion Liço. Ledioni është Ledioni, po aq i preferuar nga të gjithë. Me energjinë, seriozitetin në punë dhe profesionalizmin i tij, ai solli frymën e tij në këtë “Big”. Mendoj se tashmë me emrin e “Big Brother” është i lidhur edhe emri i Ledionit.

Thashetheme ka pasur edhe për një debat mes Arbana Osmanit dhe Ledion Liços për prezantimin e këtij formati vitin e ardhshëm; a ka diçka të vërtetë në këtë lajm?

Duhet të pyesni ata vetë për këtë thashethem.

I keni takuar banorët pas daljes nga loja, si ju janë dukur?
Pas përfundimit të “Big Brother”, jam takuar me të gjithë në “Post Big” dhe në festën që u organizua më pas. Eh, ata janë kaq shumë të zënë tani me udhëtimet dhe takimet mes tyre, sa vështirë t’i kapësh. Janë bërë VIP-a ata, e kanë axhendën shumë të ngarkuar, me intervista etj. (qesh). A ke pasur mundësi të saktësosh me ta deklaratat e forta që kanë lëshuar, ku janë shprehur se fituesi ishte i manipuluar? Ata janë të lirë të shprehin gjithçka mendojnë. Unë i mirëkuptoj, sepse të gjithë e kanë dëshiruar shumë finalen e sidomos fitoren. Humbjen nuk e pranon askush lehtë. Ajo që më kënaq është fakti që, pavarësisht çfarë kanë thënë për njëri-tjetrin, tashmë vazhdojnë miqësitë, udhëtimet në grupe. Po shijojnë bashkërisht famën që iu dha ky edicion.

A mendon se ka mosmirënjohës në radhët e konkurrentëve të këtij edicioni?
Jo, në asnjë mënyrë s’mund ta mendoj këtë gjë!

Veseli fitoi çmimin e madh; cili banor tjetër mendoni se fitoi diçka në këtë “reality show”?
Të gjithë në një farë mënyre janë fitues, sepse fama që marrin do t’iu vlejë për angazhimet e tyre në jetën reale. Ky edicion u bazua në lojëra të forta që të jepnin pushtet dhe para në çdo ditë të jetës në “Big Brother”. 14 prej 22 banorëve që kanë qenë këtë vit pjesëmarrës në “Big Brother” kanë fituar çeqe të konsiderueshme parash prej lojërave që kanë fituar.

A ka pasur raste kur banorët kanë dashur të lënë shtëpinë, a keni negociuar me ta që kjo të mos ndodhte?
Ky format ka në strukturën e tij Dhomën e Rrëfimit. Jeta e tyre në “Big Brother” nuk është aspak e lehtë, ndaj sigurisht që ka momente mërzie, nervozizmi, dorëzimi… Gjithçka që ata shprehin në atë dhomë, “Big Brother” i dëgjon me shumë kujdes dhe i këshillon për të vazhduar ëndrrën që ata kanë nisur. Nuk janë aspak negociata me ta për të qëndruar apo për t’u larguar nga ajo shtëpi. Janë këshillimet e domosdoshme, për secilin prej tyre.

“Asgjë nuk është ashtu si duket” ishte motoja e këtij viti; a ka parë diçka të gabuar publiku këtë vit në “Big Brother”?
S’më takon mua ta them nëse ka parë apo jo diçka të gabuar publiku këtë vit në “Big Brother”. Publiku ka gjykimin e tij për atë çfarë ka parë. Fakti që na kanë ndjekur masivisht deri në fund, tregon se iu ka pëlqyer dhe s’iu është dukur aspak e gabuar gjithçka që ne iu kemi transmetuar.

Si i kanë parë organizatorët skenat e seksit përgjatë këtij viti, mendoni se kjo e ka rritur audiencën?
Audienca ka qenë e lartë që në javët e para të “Big” kur s’kishte ndodhur ende asnjë skenë. Audienca ka qenë shumë më e lartë edhe në javët e fundit kur nuk kishte më skena të nxehta.

“Top Channel” është kritikuar pas shfaqjes së imazheve në dush të Fatjonit dhe Xhensilës, duke i komentuar si skena aspak edukative; mendoni se keni gabuar duke i transmetuar ato sekuenca në një orar që ndiqet edhe nga fëmijët?
Ju siguroj që ato skena janë transmetuar pas orës 23:00. Pse kur na shfaqen në filma të atilla skena nuk na vjen keq, nuk i komentojmë si joedukative?! Edhe “Big Brother” është një lloj filmi, telenovele a quajeni çfarë të doni, që vjen te ne me historitë që i krijojnë vetë banorët, aspak të diktuara nga autorët. Nuk kemi bërë asnjë gabim, sepse kemi respektuar etikën televizive në orën dhe mënyrën e transmetimit.

A keni filluar përgatitjet për “Big Brother 9”, a mund të na tregoni ndonjë detaj, çfarë na pret vitin tjetër?
Le t’ua lëmë këtë kohë banorëve të “Big Brother Albania 8” të shijojnë edhe pak famën e tyre. Ju siguroj që ata kanë ende shumë për të treguar e përjetuar, ndaj mos ta tërheqim vëmendjen prej tyre. Kjo është koha e tyre!

Mendoni se ky “reality” duhet të bëjë disa vite pushim në Shqipëri?
Kësaj pyetjeje do doja t’i përgjigjeshe edhe ti vetë, si një gazetare që ndjek e shkruan për protagonistët e “Big Brother”. Referoju interesit që kanë treguar lexuesit për lajmet mbi “Big Brother”. Unë, duke iu referuar atyre shifrave për të cilat fola që në fillim të kësaj interviste, mund të përgjigjem se publiku e do ende këtë format.

Kush është Zefina, për të gjithë ata që nuk e njohin?
Në CV-në time, tashmë mbi 10-vjeçare, gjithë eksperiencat e kaluara, në median e shkruar, televizive apo edhe në institucione shtetërore, kanë në thelb vetëm një profesion, gazetarinë.

(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: