Universiteti si çelësi i suksesit të së ardhmes.
Sot të gjitha vendet, jo vetëm ato të pasura, investojnë një kuotë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në arsim.

Sipas disa përllogaritjeve të UNESCO-s, mesatarja e shpenzimeve për arsim në nivel botëror është rreth 5% e PBB-së, ndërsa në vendet e OECD-së shkojnë nga 5-8%, ku një pjesë e mirë e kësaj kuote shkon për financimin e universiteteve, (1.55% e PBB-së).

Në vendet e Bashkimit Europian mesatarisht rreth 12% e buxhetit total shkon për arsimin. Kjo pasi arsimimi konsiderohet si leva e zhvillimit ekonomik të një vendi, I cili mund të kontribuojë në parandalimin e varfërisë, në garantimin e vlerave humane dhe civile si dhe mund të shërbejë në luftën ndaj çdo forme diskriminimi.
Sipas nobelistes Montalcini, arsimimi dhe i gjithë proçesi edukativ është faktori primar i forcimit dhe rritjes së familjes, komunitetit dhe ekonomisë në kompleks.
Kontributi në arsimim dhe në rivlerësimin e kapitalit human është baza e misionit të çdo universiteti sot në botë ku sipas Schumpeter ata bëjnë trasformimin e njohurive teorike në vlerë të shtuar për ndërmarrjet dhe shoqërinë.

Universitet sot konsiderohen si një vend tërheqës për gjeneratat e reja të cilat falë tij përfitojnë instrumentat intelektuale dhe motivacionale pët të mbështetur shoqërinë drejt horizonteve të reja.

Kontributi i tyre në zhvillimin social, ekonomik dhe kulturor të një territori bëhet edhe më i rëndësishëm nëse universiteti konsiderohet efiçient, pasi stimulon zhvillimin e ideve dhe mundësive të reja. Ky afirmim mbështetet gjerësisht nga komuniteti shkencor dhe institucional ndërkombëtar, ku disa prej tyre kanë arritur ta konsiderojnë universitetin si një “zhvillues urban” duke influencuar pozitivisht shoqërinë dhe ekonominë e një territori të caktuar. Kjo falë përmirësimit të nivelit të kapitalit human në territor, fillimisht duke tërhequr studentët më cilësorë e në vijim duke prodhuar të diplomuar të kualifikuar të cilët, nga universiteti spostohen tek ndërmarrjet duke rritur produktivitetin e tyre e duke gjeneruar rritje ekonomike në territorin përreth tyre.

Nisur nga këto fakte le të shohim në vijim realitetin shqiptar. Përsa i përket financimit në Shqipëri për 2020 do të harxhohet për arsimimin rreth 8% e buxhetit total, apo sa 2⁄3 e mesatares së BE-së.

Në 10 vitet e fundit përqindja e buxhetit që shkon për arsimin është reduktuar me rreth 1.5% në vendin tonë. Në raport me PBB-në kjo vlerë shkon rreth 3.1%. Apo sa 2⁄3 e mesatares se vendeve te OECD.

Ndërsa për universitetin në vendin tonë harxhohet rreth 0.5% e PBB-së, sa 1⁄3 e mesatares së vendeve të OECD-së (tek ne harxhohet më shumë për burgjet se për universitetet).

Përsa i përket kërkimit shkencor në Shqipëri harxhohet përafërsisht 27 herë më pak se mesatarja e BE-së. Duke reduktuar keshtu ndjeshem cilësinë në disa IAL në Shqipëri.

Sipas të dhënave të INSTAT gati 1⁄5 e të papunëve në Shqipëri janë të diplomuar por këta të diplomuar nuk kanë përfituar kompetencat e nevojshme që kërkon tregu punës.
Pra, një pjesë e sistemit tonë edukativ është i “paaftë” për të transmetuar kompetencat e duhura ekonomisë, që çdo ditë e më tepër bazohet te capability (aftësi).
Nisur nga këto fakte mund të themi se maturantët për të pasur një të ardhme më të sigurt tashmë nuk duhet të mendojnë vetëm për kartonin por për rëndësinë e universitetit dhe kurrikulës që diploma të njihet nga tregu i punës si në nivel kombëtar ashu edhe në nivel ndërkombëtar.

Sot nuk mjafton një diplomë çfarëdo, kjo e fundit duhet të jetë nga një institucion serioz dhe prestigjoz që të çertifikojë cilësinë, të afirmojë kompetencat që mbart një i diplomuar në një kurrikul të caktuar.

Po ashtu sot sugjerohet që të rinjtë të studiojnë në një gjuhë të huaj pasi kjo është një mënyrë për të perfeksionuar një gjuhë të dytë.
Gjithashtu kompanitë ndërkombëtare vlerësojnë shumë studentët e universiteteve të huaja pasi kjo ndihmon në formimin e kontakteve profesionale dhe në zgjerimin e network-ut të njohjeve dhe u jep mundësinë të ndërveprojnë me njerëzit qe vijnë nga vende të tjera, të cilët kanë një kulturë tjetër. Tashmë universitete që disponojnë karakteristikat e mësipërme janë edhe në Shqipëri.

* Lektor pranë Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb