Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë është kritikuar për nisjen një ditë me vonesë të procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë që dolën nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi, deklaroi para mediave se aktualisht po numërohet në qemdrat e votimit në  Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh, ndërsa në komunat e mbetura pritet të fillojë nesër.

“Në komunat e tjera, numërimi do të fillojë pasi të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura teknike dhe administrative”, tha përfaqësuesi i KQZ, në një prononcim për mediat.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit garuan 1.280 kandidatë nga 28 subjekte politike për t’u zgjedhur në Kuvendin me 120 deputetë.

Sipas ligjit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve.

Në lidhje me procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, KQZ nuk ka dhënë afat të caktuar.

Kjo është hera e parë që votat e kandidatëve për deputetë numërohen në vendet ku u votua, për shkak të ndryshimeve ligjore të cilat mundësuan të votohen deri në dhjetë kandidatë për deputet nga pesë sa ishte më herët.

Mbi 104.000 votues u regjistruan për të votuar jashtë Kosovës në këto zgjedhje.

Ndërkohë, kur janë numëruar mbi 99 për qind e votave vetëm për subjektet politike, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i ka fituar 40.81 për qind të votave, sipas KQZ-së.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb