TIRANË

Kryeredaktori i Gazeta Shqiptare Erl Murati ka komentuar në studion e News24 zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që mbahen sot në Kosovë.

Murati tha se duke iu referuar sondazheve pritet një fitore e thellë e Albin Kurtit dhe se dilema kryesore është nëse Vetëvendosja do ta marrë mandatin e vetëm apo do ketë nevojë për aleanca.

“Të gjitha palët tentojnë të jenë taktike. Është shumë herët për të shpallur koalicionin. Në Shqipëri shpallin fitoren të gjitha partitë. Dhe në Kosovë është e kuptueshme që palët të shprehin një besim në vetvete. Duke iu referuar sondazheve do kemi një fitore të thellë të Albin Kurtit. Dilema kryesore, ajo që nuk dimë është që nëse VV do ta marrë mandatin e vetëm apo do ketë nevojë për aleanca.
Duke analizuar disa faktorë nuk do ishte surprizë nëse VV dhe Albin Kurti do ta krijonin qeverinë e vetme. Do ishte një farë revanshi”, tha Murati.

Sipas tij, Albin Kurti i fitoi zgjedhjet e kaluara, pavarësisht se kishte vetëm një mandat më shumë në Kuvend dhe doli parti e vetme, por se pas rënies së qeverisë pati një moment pozitiv për VV.

“Fakti që u ndërpre në mënyrë të papritur, kjo shkaktoi dhe një momentum pozitiv për VV. U krijua ideja sikur ky njeri kalin kryesor të betejës ka idealizmin dhe nuk iu dha shansi”, tha ndër të tjera Murati.

Sa i përket Presidentit të ri, ai shprehu besim se Kosova do ketë pjekurinë për të zgjedhur Presidentin e Republikës.
“Dy kandidatët e deri tanishëm përfaqësojnë trashëgimi dhe filozofi politike krejt të ndryshme, Haradinaj si hero i luftës, ndërsa Vjosa Osmani një ofertë e re politike, mendësi e re e politikbërjes”, tha Murati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb