Gazetarja Rudina Xhunga komentoi në rubrikën “opinion”, në News24, zhvillimet e fundit politike brenda vendit, por edhe zgjedhjet në Mal të Zi apo debatet për kufirin detar.

Së pari, gazetarja u ndal te vendimi i qeverisë për të rihapur shkollat më 14 shtator, ndonëse në kushte të jashtëzakonshme të pandemisë.

Ajo tha se nuk donte që shkollat të hapeshin në këto kushte, por theksoi se fëmijët e duan një gjë të tillë, ndaj dhe duhet menduar për ta, e mbi të gjitha për shëndetin e tyre mendor.

“Nuk do doja që të niste shkolla, edhe pse kjo nuk varet nga çfarë dua unë. Vajza ime mezi pret të fillojë shkolla. Ajo nis klasën e tretë dhe tha se e ka marrë malli për shoqet, shkollën, mësimet. Ka qenë e mbyllur gjatë gjithë kësaj kohe. Ndaj dhe duhet të shohim çfarë është e mirë për ta, për shëndetin e tyre mendor. Mësimi online është i pamenaxhueshëm, sidomos për prindërit. gjithsesi, ishte një mënyrë e re, nuk mund të thuash se ishte mënyra më e keqe. Do vijë një ditë që online do bëhet diçka normale. Le të mësohemi. Gjithsesi do doja që ky vit të ishte pa shkolla, për sa kohë nuk kemi vaksinën. Por, vendimi është marrë që fëmijët do të jenë në shkolla dhe ne duhet të jemi shumë vigjilentë, që fëmijët të mbajnë maskën. Kam përshtypjen që ne po i çojmë fëmijët në shkolla, por kjo nuk është përfundimtare. Asgjë nuk dihet, nuk ka studime të sakta, nuk e dimë çfarë do të ndodhë. Fëmija e transmeton virusin, ka shumë prindër që e kanë marrë nga fëmijët dhe e kanë kaluar shumë rëndë. Megjithatë unë do ta çoj fëmijën tim më 14 në shkollë”, tha Xhunga.

Sa i takon zgjedhjeve në Mal të Zi, gazetarja u shpreh se ka ardhur koha e bashkëpunimit kombëtar, pasi faktori shqiptar është në ditët e tij më të mira dhe një gjë e tillë duhet shfrytëzuar në favor të vetë shqiptarëve.

“Nuk kam qenë shumë e vëmendshme ndaj këtyre zgjedhjeve. Në Mal të Zi në fakt ka shumë shqiptarë. Kam bërë vetë emision atje dhe ka qenë surprizë për mua. Kemi folur gjatë me Xhufin e Qosjen se si u largua shqiptaria nga ato zona. Kështu që më pëlqeu që këtë radhë Shqipëria kishte vëmendjen dhe u shpreh në mënyrë properëndimore. Me gjithë vëmendjen që Shqipëria ka ndaj Kosovës më duket banale përfshirja jonë me politikanët. Ajo që do doja të shikoja do të ishte një mënyrë tjetër komunikimi. Është koha e bashkëpunimit kombëtar dhe në këtë bashkëpunim nuk është e rëndësishme nëse qeveris Rama, Basha apo Thaçi. Nuk kanë rëndësi emrat, por ne duhet të jemi të gjithë bashkë në një pikë, që do të përkrahim shqiptarët kudo janë, edhe po ta ketë emrin Abazoviç. Do ishte shumë mirë që atë ta shihnim si ministër të Jashtëm, ashtu siç kemi një shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Shqiptarët janë në ditët e tyre më të mira, ka ardhur koha për një politikë të jashtme të bashkëpunimit kombëtar. Tani ne jemi pika referimi”, u shpreh ajo.

Për sa i përket deklaratave të Greqisë për zgjerimin me 12 milje në detin Jon, Xhunga kritikoi qëndrimet e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, duke thënë se kjo është një çështje me rëndësi kombëtar dhe për këtë duhet bërë transparencë, e jo të bëhen batuta.

“E para, në Shqipëri kur ka një përplasje, menjëherë shpjegimi vjen me batuta, siç bën Rama. Mund të jesh më transparentë dhe të përgjigjesh. Mënyra e përgjigjesh në çështje të rëndësisë kombëtare mund të ishte më pak arrogante. Pastaj vjen opozita. Bëjnë mirë që çështjen e detit ta zgjidhin me transparencë, nga Rama kerkohet një komunikim tjetër, jo me batuta. Nuk ka nevoje t’i pergjigjet opozites, por shqiptarëve. Ndersa opozita ben mire te kuptoje se tonet e larta patriotike nuk do t’i ndikoje ne fushate sepse shqiptaret tani votojne per interesa. Uroj që të jetë thjesht çështje që pasi të mbarojë ajo që po ndodh mes Greqisë dhe Turisë, të flasim dhe ne, se detin as po na e marrin, as po na e falin. Duhet të ketë një mënyrë tjetër komunikimi. Është momenti që të mos kemi një ministër të jashtëm simbolik apo një ministër diaspore simbolik apo një televizion diaspore simbolik. Sepse fuqia jonë këtej e tutje do të jetë  bashkëpunimi kombëtar.

Ka ardhur momenti në Shqipëri, ku jo thjesht ne mund të imponohemi, por jemi më të dukshëm. Jemi në një situatë nga më të mirat që mund ta zhvillonim bashkëpunimin kombëtar. Turizmi e tregoi këtë, Kosova ishte në Vlorë, edhe Maqedonia e Veriut. Ne jemi plot me njerëz, që nuk vijmë thjesht për patriotizëm, por edhe për det. Turizmi na bashkoi dhe ne duhet të përfitojmë nga kjo”, tha Xhunga.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb