NGA: Vjollca Kongjoni*
TIRANE- Thellohet gropa e të ardhurave totale në buxhetin e shtetit. Të dhënat e treguesve fiskalë për periudhën janar –tetor 2015 pasqyrojnë një mosrealizim të të ardhurave në total me gati 11 miliardë lekë krahasuar me planin e rishikuar ose 3 miliardë lekë më pak të ardhura se periudha nëntë mujore. Shifra tregon edhe njëherë efektin e dobët të aksionit të qeverisë kundër informalitetit në muajin shtator. Sipas treguesve fiskalë të konsoliduar, të ardhurat totale janë realizuar në masën 311, 2 miliardë lekë, ose afërsisht 10.9 miliardë lekë më pak se plani i periudhës 10-mujore në 322,1 miliardë. Performancën më të dobët në këtë periudhë e ka dhënë administrate doganore.

Tre zërat kryesorë me ulje për dhjetë muaj me radhë janë Akciza,TVSH-ja në import dhe renta minerare. Kështu sipas të dhënave të ministrisë së financave “Akciza” shënon mosrealizim të thellë pasi vetëm për një muaj ka pësuar një ulje me -4.2% shifër më e lartë se ajo e mosrealizimit në 9 muaj bashkë që ishte 3.3%. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me rentën minerare. Mosrealizimi në tetor është 1.4% duke prekur shifrën 5.2% në dhjetë muaj. Dikasteri i financave argumenton se rënia e të ardhurave nga Administrata Doganore shpjegohet me vazhdimësinë e ndikimit të faktorëve të jashtëm të cilët ndikojnë në mbledhjen e të ardhurave doganore dhe janë jashtë parashikimit. Ndryshe flasin të dhënat nga drejtoria e përgjithshme e Tatimeve, ku për 10 mujorin janë realizuar rreth 150 miliardë lekë.

Krahasuar me vitin e kaluar, Administrata Tatimore ka mbledhur rreth 14.5 miliardë lekë më shumë ose 10.7% më shumë. Ndër zërat kryesorë me performancë pozitive janë “Tatimi mbi vlerën e shtuar” dhe “Taksa nacionale”. Ndërsa një prej zërave me mosrealizim në këtë institucion janë “Tatimi mbi të ardhurat personale” me 7.6 milion lekë më pak se plani. Përsa u përket shpenzimi nga janari në tetor të këtij viti janë investuar 22 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar. Zërin kryesor të mosrealizimit e mbajnë shpenzimet kapitale me rreth -17%.

Për periudhën janar-tetor 2015, arritën në rreth 330 miliardë lekë ose 22 miliardë lekë më pak se plani i periudhës prej 352 miliardë lekë, pra kemi një realizim prej 94% të planit të periudhës. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 10-mujorin u realizuan në masën 72 për qind të planit vjetor. Shpenzimet faktike, të krahasuara me planin e periudhës 10-mujore, janë rreth 6 për qind më të ulëta, gjë që tregon një realizim të mirë dhe konsiderueshëm në përputhje me planin, por ende jo në nivelet e nevojshme.

Kjo ulje, kryesisht vjen si pasojë e nivelit më të ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale. Zërin kryesor të mosrealizimit e mbajnë shpenzimet kapitale me rreth -17%, ndërsa shpenzimet korente dhe ato të detyrimeve të prapambetura janë të plotësuara në nivele shumë të kënaqshme realizimi, përkatësisht në nivelet 96% dhe 93%. Mosrealizimi i shpenzimeve kapitale ka ardhur si pasojë e faktorëve të ndryshëm, por më kryesori ka qenë vonesa në procesin e tenderimeve apo parashikimi për t’u realizuar në tremujorin e fundit.
(ed.me/BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: