Ish-Presidenti Bamir Topi dhe analisti Artur Zheji komentuan në emisionin “Pikat mbi i”, në News24, zhvillimet brenda Partisë Demokratike.

Për ish-Presidentin Topi, Sali Berisha po shkon drejt krijimit të një partie tjetër, pasi sipas tij, ish-kryeministri ka vetëm dy rrugë për të qenë pjesëmarrës në zgjedhjet e ardhshme, që janë “o do të fillojë një goditje nga brenda për të sulmuar pjesën zyrtare, ose do t’i fitojë sa më shumë masë elektorale brenda partisë për t’u ndarë në parti më vete”.

Duke u ndalur te deklaratat e zyrtarit të lartë amerikan, Gabriel Escobar, i cili dënoi dhunën në protestën e 8 janarit, Topi theksoi se ky ishte një rast i rrallë, kur një zyrtar amerikan bën komente rreth ngjarjeve brenda një partie politike.

Nga ana e tij, analisti Zheji tha se nuk i pëlqeu fakti që Escobar e krahasoi Shqipërinë me Serbinë, pasi sipas tij, kjo tregon se ngjarjet e 8 janarit i kanë humbur pikë Shqipërisë dhe e kanë bërë atë një vend të diskutueshëm sa i takon besueshmërisë.
Pjesë nga diskutimet:

Bamir Topi: Mendoj që ky është një nga rastet e rrallë, kur një zyrtar i lartë amerikan bën komente rreth ngjarjeve brenda një partie politike. Ka bërë koment, sepse situata në Shqipëri është gjithmonë siu-gjeneris, fillon brenda një subjekti politik dhe degjeneron. E gjej deklaratën e tij më se normale, se vjen nga një zyrtar i një vendi demokratik, që thotë se fuqi vjen përmes votës dhe jo dhunës. Është një parim i pranuar, madje i pakontestuar. Nuk kam asnjë lloj pozicionimi subjektiv ndaj karshi Bashës apo Berishës, por problemi është se ata e kanë në dorë, ne arsyetojmë, bëjmë analiza. Problemi është se ku është vota, ku është mekanizmi?

Zheji: Më vjen keq që Shqipëria krahasohet me Serbinë, sepse Shqipëria është vend anëtar i NATO, ndërsa Serbia jo. Shqipëria është vend pro-amerikan i certifikuar dhe së shpejti do të ketë një bazë amerikane në territorin e saj, ndërsa Serbia jo, ka bazë ruse. Pra, renditja e Shqipërisë pas Serbisë nuk më pëlqeu. Kjo do të thotë se kemi humbur pikë, ose jemi bërë të diskutueshëm në renditjen e besueshmërisë me atë që ka ndodhur te selia e PD. Kjo na ka bërë problematikë dhe të krahasueshëm me Serbinë. Mendoj që më 13 qershor të vitit të kaluar, PD pati Kongresin dhe Sali Berisha e ata që kontestojnë sot Bashën, votuan për këtë të fundit. Më 9 shtator ndodhi vendimi i Bashës ndaj Berishës, për shkak të shpalljes “non grata” dhe presionit amerikan që ai të mos jetë pjesë e strukturave të PD, dhe më pas filloi beteja e Berishës ndaj Bashës. Pra, u bë një betejë personash pa respektuar institucionin e Kongresit, dhe u bë gjithçka që të krijohet precedenti. U bënë dy Kongrese paralele, ku njëri e shkarkoi Bashën, tjetri e konfirmoi. U bë dhe një sulm gjysmë i dhunshëm, gjysmë i padhunshëm. Pra, unë nuk mendoj se ka vend për një votim të ri në PD, sepse nuk ka dakordësi për asgjë. Këtu ka vetëm votime sektare, grupime. Doktori do që të ketë tension permanent. Nuk ka vendosur të bëjë një jetë parlamentare, të ngre një grup parlamentar, një parti të re. Kriza e Doktorit dhe ndihmësve të tij do të verifikohet shumë shpejt, sepse ai nuk merr pjesë në votime. Ai nuk ka një identitet juridik.

Topi: Po të shikoni, të gjithë faktorët e rëndësishëm shkojnë te pjesa zyrtare, për momentin, por si do të jetë perspektiva, ajo nuk matet në luftën mes vetit. Këta që kanë frymën, juridikisht nuk kanë asnjë lloj të drejte për të mbajtur kontaktin me KQZ, kështu që kandidatët do të vijnë pikërisht nga ata që kanë rezultatin. Kur vjen puna në përballjen me kundërshtarin real politik, të gjitha të drejtat i ka pjesa zyrtare. Dy janë zgjidhjet, o do të fillojë një goditje nga brenda për të sulmuar pjesën zyrtare, ose do t’i fitojë sa më shumë masë elektorale brenda partisë për t’u ndarë në parti më vete. Do shikoni që do ta ketë betejë intensive. Nuk është më i vetëm siç ka qenë në foltore, por do të jetë i gjithë Komisioni i Rithemelimit. Praktikisht, ai po projekton një strukturë ndoshta të një partie tjetër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb